Jetesë & Stil

Princi Andrew “i padëshiruar” në familjen mbretërore


Princi Andrew - Duka i York-ut

Familja mbretërore nuk do ta pranojë më kurrë si përpara, Princin Andrew, pas të gjitha skandaleve që ky i fundit i ka sjellë familjes më të famshme në gjithë Britaninë e Madhe.

Burime të brendshme pranë të së përditshmes, “UK Sun”, thonë se “mbretëria e rrethuar nga akuzat karshi Princit Andrew, për abuzime seksuale ishin si një lloj bombe për ta dhe mes gjërash më të turpshme në historinë e jetës së tyre publike”.

Princesha Anne, Princi Charles dhe Princi Edward.

Vëllezërit, Princi Charles dhe Princi Edward si dhe motra, Princesha Anne, thuhet se i kanë mbyllur derën vëllait të tyre, Princit Andrew, ndërsa e kanë quajtur atë “delja e zezë e familjes”.

Madje, sipas magazinës “Sunday Times” të Londrës, e cila citoi një burim të sigurt, thuhet se – “nuk ka asnjë mënyrë që ai t’i kthehet pallatit, familja nuk do ta lejojë kurrë të ndodhë kjo”.

Tutje, thuhet se rreth nëntë muaj më parë, Charles, Anne dhe Edward, ishin takuar pë të diskutuar rreth çështjes së raportit me Andrew, dhe kishin rënë dakord se “nuk ka kthim prapa për të”.

Princi Andrew dhe Princi William.

Ndërkohë, thashetheme të shumta kanë qarkulluar edhe në lidhje me raportin e Princit William me Princin Andrew.

I dyti në radhën e fronit, Princi William, thuhet se e konsideron xhaxhain e tij, Princin Andrew, si një “kërcënim për familjen”.

Ndërkaq, aktualisht, Princi Andrew është duke jetuar në një pallat të Mbretëreshës Elizabeth, në Balmoral Estate, ndërsa është duke u përballur me paditë mbi sulmet seksuale.

Kujtojmë se avokatja e trafikimit seksual, Virginia Roberts Giuffre, ka ngritur padi kundër Princit Andrew, për të cilin ka thënë se “e ka detyruar të kryej marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj dhe nën moshë”.

Në padinë e saj, Giuffre pretendon se Princi Andrew e abuzoi seksualisht me ftesën e Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell ( ish të akuzuar për trafikim të grave nën moshë), kur ajo ishte e mitur dhe se rastet e abuzimit seksual të dyshuar ndodhën edhe në shtëpinë e Maxwell në Londër edhe në shtëpinë e Epstein në SHBA.

Princi Andrew dhe Virginia Giuffre

“Princi Andrew kreu sulme seksuale dhe dhunë ndaj paditësit kur ishte 17 vjeç. Si i tillë, Princi Andrew është përgjegjës për shkaktimin e shqetësimeve emocionale në përputhje me ligjin e zakonshëm të New York-ut. Dëmi ndaj paditësit ka qenë i rëndë dhe i qëndrueshëm”, deklaron padia.

Po ashtu, në padi thuhet se “Giuffre kishte frikë nga mosbindja e urdhrave të Epstein, Maxwell dhe Princit Andrew, ‘për shkak të lidhjeve të tyre të fuqishme, pasurisë dhe autoritetit’”.

Virginia është një viktimë e dyshuar e trafikantit të famshëm, Jeffrey Epstein, dhe edhe më parë, në vitin 2019, ajo kishte treguar publikisht se “ishte e detyruar të kryente akte seksuale me Princin Andrew”.

Por, Pallati Mbretëror “Buckingham Palace” i pati mohuar akuzat e saj, duke thënë “prerazi që Duka i York-ut, nuk kishte ndonjë formë kontakti ose marrëdhënie seksuale me Virginia Roberts. Çdo pretendim për të kundërtën është i rremë dhe pa bazë.”

Në anën tjetër, bë një intervistë në BBC në vitin 2019, Princi Andrew, kishte thënë se “nuk e kishte takuar kurrë Giuffre”, ndërsa ka pretenduar se një fotografi që po qarkullonte në rrjet, ku shihej ai dhe Giuffre, mund të ishte “fotoshop”.

Duka i York-ut, gjithashtu ishte treguar shumë jo bashkëpunues me autoritetet të cilat po hetonin rastin aso kohe.

“Deri më sot Princi Andrew ka siguruar zero bashkëpunim”, kishte thënë në vitin 2019, ish -prokurori amerikan për Qarkun Jugor të New York-ut, Geoffrey Berman,.

Gjithsesi, Giuffre po kërkon dëmshpërblim “me një shumë që do të përcaktohet në gjyq”, si dhe tarifat e avokatëve dhe lehtësime të tjera të mëtejshme”, siç gjykata mund t’i konsiderojë të drejta dhe të duhura”.

Kujtojmë se, Jeffrey Epstein u akuzua për trafikim seksual të të miturve dhe komplot për t’u përfshirë në trafikimin seksual të të miturve në korrik të vitit 2019, për të cilin ai u deklarua i pafajshëm.

Por, pak javë më vonë ai u gjet i vdekur në qelinë e tij të qendrës federale të paraburgimit në Manhattan.

Ndërsa, Ghislaine Maxwell, u akuzua në vitin 2020 për rolin e saj të dyshuar në rekrutimin, pastrimin dhe abuzimin seksual të vajzave të mitura të moshës 14 vjeç, dhe më vonë, me akuza për trafik seksual. Ajo është deklaruar e pafajshme për të gjitha akuzat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore