Shqipëria

Shqipëria reflektoi një inflacion prej 6,1 për qind në prill


Për muajin prill të këtij viti, inflacioni vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është 6,1 për qind.

Kështu rezulton në një raport të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Rritja më e madhe e çmimeve prej 13,8 për qind vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,0 për qind dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8 për qind.

Ndikimi i grupeve në ndryshimin vjetor

Ndërkohë, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” ka një rritje me 3,9 për qind, “Argëtim dhe kulturë” me 3,5 për qind, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,4 për qind dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,6 për qind.

Po ashtu, grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,0 për qind, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Shërbimi arsimor” me 1,0 për qind secili, “Komunikimi” me 0,8 për qind dhe “Shëndeti” me 0,1 për qind.

Ndryshimet në përqindje matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit

Kurse ndryshimi mujor, për muajin prill 2022, rezulton 0,6 për qind.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 2,1 për qind, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti” me 0,9 për qind secili.

Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, prill 2022

Sakaq, grupi “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” ka pësuar rritje me 0,8 për qind, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,4 për qind dhe “Komunikimi” me 0,3 për qind.

Ndërsa, grupet “Hotele kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 për qind secili.

Për grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, çmimet janë ulur me 0,3 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore