Lajme

Pretendimi i Vuçiç’it: Perëndimi po përgatit një propozim merre ose leje për Asociacionin


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të enjten u takua me disa serbë, të cilët ishin nisur në këmbë nga Veriu i Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiç, duke u bazuar në informatat e të ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar në këtë rast ndërmjetësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi deri në fund të qershorit do të kenë një propozim për Asociacionin, propozim ky i natyrës merre ose leje.

“Para se të vija unë, (Petar) Petkoviç më tha se situata është e vështirë dhe se komuniteti ndërkombëtar ka dalë me trukun e radhës që duan të më bëjnë presion – merre ose lëre në fund të qershorit – të krijohen grupe ekspertësh për të na imponuar Asociacionin”.

“Unë i thashë  – qetësohu, asgjë nuk ndodh, nuk zgjidhet brenda natës, i thashë se funksioni i Ekipit Menaxhues dihet, dihet se çfarë ne duam dhe për çfarë nuk do të pajtohemi”, pohoi ai.

Vuçiç potencoi se Serbia do të pajtohej vetëm nëse ofrohet ajo që ishte nënshkruar në marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacionin.

“Dhe do të jetë: Kështu ose jo fare. Të huajt kanë mësuar të sillen në mënyrë arrogante dhe duhet të ketë një të fortë, më të madh që thotë; nuk mund të jetë kështu”.

Albanian Post, të enjten, publikoi një artikull të bazuar në burimet të mirinformuara për dinamikat e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ku shtjellohen katër hapat se si do të ecet përpara me implementimin e Marrëveshjes Bazë, në veçanti me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si pika më e nxehtë e marrëveshjes ku palët nuk mund të gjejnë pajtim.

Kosova, sipas burimit të AP-së, duhet të prezantojë Statutin e Asociacionit, ta tregojë modelin e mekanizmit i cili do të ketë brenda edhe menaxhimin e shkollave dhe sistemit shëndetësor të serbëve, e jo të jep vetëm vërejtjet dhe mospajtimet e veta.

Burimet e AP-së po ashtu kanë shprehur shqetësimin që në Prishtinë po flirtohet me idenë që të blihet kohë, pra në një farë mënyrë që Kosova të mos angazhohet seriozisht me Asociacionin me shpresën që Serbia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, derisa implementimi i Marrëveshjes Bazë, sipas tyre, duhet të përfundojë deri në vjeshtë.

Ekskluzive: Këta janë 4 hapat e implementimit të marrëveshjes, duhet të përfundojnë deri në vjeshtë – ndryshe “pasojat do të jenë të menjëhershme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore