Lajme

Presioni në rritje i krizës energjetike ndaj industrisë evropiane


Në një fabrikë në Francën juglindore, punonjësit po pajisen me gardërobën e re dimërore.

Kjo vjen teksa bizneset në të gjithë Evropën po përgatiten për krizën energjetike.

Saint-Gobain, grupi francez i materialeve të ndërtimit, ka porositur pallto dhe doreza shtesë për stafin në magazinë në qytetin alpin të Chambéry.

Me synimin për të reduktuar ngrohjen, temperaturat e atjeshme do të jenë më afër 8 gradë Celsius, në vend të 15 të zakonshmes.

“Do të jetë njësoj si të punosh jashtë, kështu që duhet t’u japim atyre të gjitha mjetet për të punuar në një mjedis të jashtëm”, ka thënë Benoit d’Iribarne, nënkryetar i lartë i prodhimit.

Për kompanitë industriale evropiane, reduktimi i ngrohjen nuk lidhet vetëm me kursimin e kostove.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, rritjet e çmimit të energjisë në nivele të larta është kthyer në një çështje mbijetese.

“Aktualisht, rritja e çmimeve të energjisë po përshpejton një rënie alarmante në konkurrencën e konsumatorëve të energjisë industriale të Evropës”, ​​ka bërë me dije Tryeza e Rrumbullakët Evropiane për Industrinë.

Dhe se nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme për të kufizuar çmimet, “dëmi do të jetë i pariparueshëm”.

Teksa disa kompani po kërkojnë qymyr dhe lëndë djegëse të tjera fosile për t’i kaluar gjatë dimrit, të tjerë flasin me optimizëm për revolucionin e gjelbër që po nxit kriza.

Tanimë ka prova që kompanitë e mëdha po reduktojnë prodhimin në disa sektorë për shkak të mungesës së energjisë, edhe përpara fillimit të dimrit.

Drejtuesit që variojnë nga kompanitë e kimikateve te plehrat kimike e deri te qeramika paralajmërojnë se rrezikojnë të humbin pjesën e përhershme të tregut dhe mund të detyrohen të zhvendosin prodhimin në vende të tjera që mund të ofrojnë çmime më të lira të energjisë.

Kompania e kimikateve, Lanxess, e cila prodhon kimikate bazë dhe përbërës për tregun farmaceutik, i ka rritur çmimet bazë deri në 35 për qind kur kostot e energjisë filluan të rriten.

Por rritja e çmimeve nuk do të zgjidhë problemin e mungesës së gazit.

Grupi i paketimit, DS Smith, ka urdhëruar fabrikat të ulin konsumin me 15 për qind, një reduktim vullnetar i rënë dakord nga vendet anëtare të BE-së në korrik.

Kurse Valeo, furnizuesi francez i automobilave, u ka kërkuar fabrikave të reduktojnë konsumin e energjisë me 20 për qind, me masa të tilla si ndalimi i prodhimit në fundjavë dhe ulja e temperaturave gjatë javës.

Ndërsa kompania belge Solvay e kimikateve po organizon fabrikat e saj që të operojnë me 30 për qind më pak gaz duke përdorur energji alternative dhe kaldaja të lëvizshme me naftë.

Gazi është burimi i vetëm më i rëndësishëm i energjisë për kompanitë industriale të Evropës.

Por ai është gjithashtu një lëndë djegëse e rëndësishme, e përdorur në industrinë e kimikateve dhe plehrave kimike.

Industria konsumon gjithsej rreth 27-28 për qind të furnizimit total të bllokut, sipas Anouk Honoré, zëvendësdrejtor në Institutin e Oxford-it për Studimet e Energjisë.

Nga ana tjetër, nuk e lehtë që gazi të shmanget nga procese të shumta industriale.

Afërsisht 60 për qind e konsumit të gazit industrial përdoret për procese me temperaturë të lartë 500 gradë Celsius e lart, si prodhimi i qelqit, çimentos apo qeramikës.

Kështu, Bayer, kompania gjermane farmaceutike, në vitin 2019 ka njoftuar planet për të kaluar tërësisht drejt energjisë së rinovueshme.

Tani ka riaktivizuar qymyrin vetëm në rast se nuk është në gjendje të plotësojë nevojat për ngrohje për prodhim.

Por edhe për proceset industriale me temperaturë më të ulët, alternativat janë të pakta momentalisht.

Thatësira e verës ka varfëruar kapacitetin e hidrocentraleve, ndërsa reaktorët bërthamorë të vjetër të Francës nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesën për shkak të bllokimeve të zgjatura dhe çështjeve të mirëmbajtjes.

Disa industri kanë vendosur se mënyra më e mirë për t’u përballur është thjesht shkurtimi i prodhimit.

“Me rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë, po rishikojmë vazhdimisht nivelet tona të prodhimit në të gjithë Evropën”, ka deklaruar grupi gjerman i kimikateve, Covestro.

Ndërkohë, po e njëjta histori është edhe në kompanitë prodhuese të plastikës, qeramikës dhe në industri të tjera që kanë nevojë për më shumë energji.

Këto lëvizje të reduktimit apo pezullimit nuk janë pa pasoja. Shqetësimet janë se kriza po i hap derën rivalëve nga rajonet me kosto më të ulëta të energjisë.

Prej kohësh, prodhuesit evropianë janë ankuar për disavantazhin konkurrues të paraqitur nga tregu i fragmentuar i energjisë së bllokut.

Deri në vitin 2020, çmimet evropiane të gazit kanë qenë mesatarisht dy deri në tre herë më të larta se në SHBA, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Madje, ky hendek është zgjeruar deri në dhjetë herë që kur Rusia filloi të shkurtonte furnizimet.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore