Kosova

“Presidentja e ka ndërprerë komunikimin”, Gërvalla flet për raportet me Osmanin


Donika Gervalla dhe Vjosa Osmani

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Presidentja Vjosa Osmani, e ka ndërprerë komunikimin me të, pas disa përplasjeve që dy gratë më të pushtetshme në vend kanë pasur me njëra tjetrën, disa prej të cilave kanë qenë edhe publike.

Këtë, Gërvalla e ka bërë të ditur në një intervistë për “Klan Kosova”, pak ditë pasi që Osmani në një intervistë për “Kallxo.com”, shprehu hapur pakënaqësitë e saj me ekzekutivin, duke drejtuar kritika në drejtim të tyre, posaçërisht sa i përket letrës së dërguar Këshillit të Evropës, për të cilën nuk ishte konsultuar fare.

“Moti s’kemi kontaktuar, por është okej”, tha Gërvalla, duke shtuar se “presidentja e ka ndërprerë komunikimin e saj në këtë sferë dhe unë duhet ta respektoj vendimin e saj për ta ndërprerë komunikimin në këtë sferë”.

Por, megjithatë, ish-bashkëpunëtorja e afërt e Osmanit potencon se mendimi i saj duhet dëgjuar dhe “duhet respektuar kur konsiderohet që është i drejtë”.

“Asnjë prej debateve që i kemi nuk e shoh të pakapërcyeshëm, këtë lloj mungese komunikimi që kemi, por bashkëpunimi kupton respektim të kompetencave, të pozicioneve…”, shtoi.

Gërvalla, ndryshe nga më herët kur e kishte “sulmuar” Osmanin, me këngën “Llafe llafe” të këngëtares, Dafina Zeqiri, këtë herë ishte e kujdesshme në përzgjedhjen e fjalëve presidenten, madje pati edhe lëvdata për të.

“Kjo presidente e Kosovës, dhe unë nuk shquhem si dikush që flet butë, por kjo presidente e Kosovës është larg presidentëve të deritanishëm, përjashto presidentin Rugova, larg tyre”, mendon kryediplomatja.

Është një presidente për të cilën Gërvalla pohon se “në asnjë sekondë nuk dyshoj se ajo punon për demokracinë e këtij vendi, për shtetin ligjor edhe përparimin e këtij vendi”.

“A duhet presidentja të pajtohet në çdo hap me mua, me kryeministrin apo me dikënd tjetër jo. Them të drejtën edhe unë me shumë hapa të saj nuk pajtohem asnjëherë, por e respektoj rolin…”.

Zëvendëskryeministrja konsideron se është “e parëndësishme kjo përderisa secili prej nesh i ushtrojmë funksionet tona me ndershmëri dhe përgjegjshmëri”.

“Sepse Kosova nuk përparon nga muhabetet dhe llafet tona. Kosova përparon atëherë kur ne i kryejmë funksionet dhe detyrat tona”, potencoi ajo, derisa deklaroi se nuk ka hidhërime fare me presidenten.

“As nuk kam hidhërime e as nuk kam nevojë për pajtim. Ne kemi rrugën institucionale”.

Hidhërim nuk ka pasi që, sipas Gërvallës, “këto çështje nuk kanë private, nuk janë personale, prandaj nëse presidentja flet keq për qeverinë dhe për punën e saj, unë e dëgjoj me shumë kujdes dhe e krahasoj me përvojën time, me ekspertizën time dhe dikund ndoshta ka të drejtë dhe dikund për mendimin tim s’ka të drejtë”.

“Mirëpo, as unë, as mediat, as askush nuk ka të drejtë t’ia ndalojë presidentes të shpreh mendimin e saj, askush”.

Tallava

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore