Shqipëria

Presidenti i Polonisë mbërrin në Shqipëri për vizitë zyrtare


Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda mbërriti të mërkurën e 10 majit për një vizitë zyrtare dyditore.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë.

Kreu i shtetit polak shoqërohet në këtë vizitë edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.

Kujtojmë që, kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një presidenti polak në vendin tonë.

Të enjten e 11 majit, ora 11:00, Duda do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti Bajram Begaj, në Institucionin e Presidencës.

Pas ceremonive të mirëseardhjes, të dy presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë.

Më pas do të kryesojnë delegacionet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar, ndërsa në mbarim të takimit, të dy presidentët do të zhvillojnë një konferencë për media.

Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.

Presidenti Duda shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësisht polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).

Gjatë qëndrimit në Shqipëri Presidenti Duda do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës.

Niveli aktual i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë është i shkëlqyer.

Nuk ka çështje të hapura mes dy vendeve. Polonia është një vend që ka mbështetur gjithmonë proceset më të rëndësishme integruese të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, me iniciativën e Polonisë, u organizua një vizitë në Shqipëri, në datat 4-5 mars 2020, e Ministrave të Punëve të Jashtme të Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe zëvendës ministrit të Jashtëm të Estonisë, me qëllim realizimin e një mesazhi të fortë mbështetjeje për përpjekjet e Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Dialogu politik, kontaktet dhe vizitat janë intensive dhe produktive.

Vizitat e fundit të nivelit të lartë dhe shumë të lartë përfshijnë: vizitën në Poloni të ish-ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, më 9 shtator 2019; vizitën në Shqipëri të Ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Jacek Czaputowicz, më 7 maj 2018 dhe vizitën në Varshavë të ish-presidentit Ilir Meta, më 2-3 shtator 2019, në kuadër të pjesëmarrjes në ceremoninë e 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore