Sport

Presidenti i FIFA-s viziton Kosovën


Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, ka arritur në Kosovë, ku është pritur nga kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kjo është vizita e parë që i pari i FIFA-s i ka bërë Kosovës.

Gjatë së enjtes ai qëndroi në Shqipëri ku u takua me kreun e FSHF-së, Armando Dukën dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se ai do të takohet me zyrtarët e FFK-së dhe me krerët e shtetit.

Numri një i FIFA-s do të mirëpritet edhe nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ,kryeministri Albin Kurti, ministri i sportit, Hajrulla Çeku dhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sot, e premte, Infantino së bashku me Agim Ademin do të mbajnë edhe konferencë për media

Infantino u prit me shumë dashuri në Kosovë, i cili, sapo zbriti nga aeroplani, u përqafua nga Ademi.

Kujtojmë se Infantino, sot ishte edhe në Maqedoni, ku u takua me krerët e FFM-së.

Sipas drejtorit të FFM-së, Muhamed Sejdini, Infantino ka premtuar se federata ka mbështetjen e plotë të FIFA-s, zhvillimin e infrastrukturës sportive në Maqedoni.

Infantino bën homazhe tek shtatorja e Fadil Vokrrit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka bërë homazhe në shtatoren e legjendës së futbollit Kosovar, Fadil Vokrri.

Ai më tej vizitoi edhe stadiumin nacional të Kosovës, Fadil Vokrri, ku u prit me duartrokitje.

Presidentja Osmani takohet me të parin e FIFA-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino-n, i cili ishte i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini.

Në delegacion me Infantino-n janë edhe Mattias Grafstrom, zv.sekretar i përgjithshëm i FIFA-s, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës së FIFA-s, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit Infantino.

Kryeministri Kurti, pret në takim Presidentin e FIFA-s

Pas takimit me Presidenten e Kosovës, i pari i FIFA-s u takua edhe me Kryeministrin, Albin Kurti.

Kjo është hera e parë e Infantino-s në Kosovë, dhe kujtojmë se pas Kurtit, ai do takohet edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe pastaj do mbajnë një konferencë për media, së bashku me Agim Ademin.

Infantino, takohet edhe me ministrin Çeku

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka vazhduar takimet zyrtare gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë.

Pas takimeve me presidentin Agim Ademi, si dhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, kreu i FIFA-s është pritur edhe nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku.

Përparim Rama ia dorëzon “Çelësin e Kryeqytetit” Infantino-s

Pas vizitës te ministri i Sportit, Infantino u prit edhe nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Rama, në shenjë falënderimi, dorëzoi presidentit Infantino “Çelësin e Kryeqytetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore