Jetesë & Stil

Presidenti Carter dhe inovacioni që qëndroi i tillë për 40 vite


Inovacioni është një petk që shumëkujt i rri ngushtë. Inovacioni kërkon iniciativë, kurajë, njohje të mirë të vetes e të komunitetit dhe mbi të gjitha kërkon vizion. 

Metodat e njohura të të jetuarit, rrugët e shkelura dhe eksperiencat e gdhendura prej kohësh nëpër breza, krijojnë skepticizëm rreth asaj që përbën të renë.

Në ditët e sotme, inovacioni është kryefjalë e një bote të globalizuar e cila ndryshon në mënyrë konstante. Teksa teknologjia zhvillohet me ritme eksponenciale, me të njejtin raport thellohen edhe diferencat mes brezave. 

Por ka diçka që është universale,  e pandryshueshme mes brezave dhe kjo lidhet me ambicien e kurdohershme të njeriut për t’u zhvilluar. Në mbështetje të këtij pohimi, do të kthejmë sytë tek një profil e një temë, e cila frymëzon tani siç ka frymëzuar edhe 40 vite më parë.

Në vitin 1979, dy vite pas ardhjes në pushtet, e në një kohë kur SHBA-të përballeshin me një krizë të thellë energjitike, Presidenti i asaj kohe Jimmy Carter, dha një mesazh me shembullin e tij. Ai instaloi 32 panele diellore në Shtëpinë e Bardhë të cilat do të siguronin ngrohje për ujin në banjot “presidenciale”.

“Pas një gjenerate, ngrohja me panele diellore do te jetë ose një kuriozitet, një instalacion në muze, një rrugë e pandërmarrë, ose do të jetë një pjesëz e një prej zhvillimeve më të mëdha të ndërmarra nga populli Amerikan”, iu drejtua ai kombit të tij. Pasaardhësi i tij, Ronald Reagan, i hoqi panelet me të hyrë në zyrë.

40 vite më vonë  dihet se cili prej të dy Presidentëve kishte të drejtë. Por nuk duhet të ketë qënë e lehtë për Presidentin Carter të dëgjonte se si, mes sa e sa sfidave të Amerikës së asaj kohe, ai merrej me panelet diellore. Një pikë në oqean!

Sot, Presidenti Carter shijon daljen në pension në një shtëpi në Plains, Georgia. Ai ka instaluar aty një fermë prej 3852 panelesh diellore në një sipërfaqe prej 10 hektarësh.
Ferma plotëson tashmë nevojat energjitike të gjysmës së qytezës ku jeton Presidenti Carter, në masën e 1.3 megawatt-ësh.

Rasti i tij është i një personi që ka besuar tek një zgjedhje, dhe i ka dedikuar një pjësë të mirë të investimit e hapësirës ku jeton. E ka bërë këtë, pavarësisht reagimeve e skepticizmave të jashtme.

Në fjalimin e së njejtës ditë, ai pati thënë se “…në vitet 2000, ngrohja e ujit me energji diellore do jetë formë e prodhimit të energjisë së lirë dhe efiçente…”. Në fakt, Elon Musk-u me Tesla-n e tij kanë investuar në teknologji që kanë ulur ndjeshëm çmimin e paneleve diellore.

Çështja e prodhimit të energjisë nga burime alternative e të pashtershme është tashmë lehtësisht e buxhetueshme nga familjet me të ardhura mesatare. Trendi është i qartë por edhe i pashmangshëm: nëse duam të jetojmë, duhet të dekarbonizojmë ekonomitë dhe burimet e saj.

Prandaj mesazhi i Presidentit Carter për energjinë nga burime të rinovueshme është tani më aktual se kurrë. Por në të njejtën kohë është edhe një mesazh se e reja e inovativja nuk është e lehtë, ka shumë kritika, por se vlen të ndiqet.

Sigurisht që lëvizja e pasaardhësit të tij, përbën argument për ata që nuk gjejnë kurajë të çojnë përpara vizionet e tyre inovative. Presidenti Carter në fund të fundit, është një nga fatlumët të cilët në një formë apo një tjetër, kanë patur luksin të insistiojnë në bindjet e tyre.

Por tashmë inovacioni përbën gjithnjë e më pak luks. Ai po kthehet në mënyrë jetese. Tashmë është përgjegjësi e të gjithëve të japin kontributin e tyre në forma inovative, direkte apo mbështetëse, për të zhvilluar veten e komunitetet ku bëjnë pjesë në mënyrë të qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore