Shqipëria

Presidenti Begaj uron Ditën Kombëtare të Rinisë


“8 dhjetori i 32 viteve më parë i studentëve të Tiranës, do të ndante përfundimisht në historinë e shtetit shqiptar dy epoka”.

Kështu e ka nisur presidenti Bajram Begaj postimin e tij në Facebook për të rikujtuar atë datë të shënuar për vendin.

“Ai dhjetor, do të ishte i fundmi dhjetor i pushtetit komunist, për të mbetur në histori edhe dhjetori i parë i lirisë në pluralizëm politik, për të mbetur përjetësisht edhe dhjetori që ndezi shpresën për demokracisë”, ka vijuar Begaj.

Ai rikujton se pas aq shumë sakrificash, populli mbushi sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, përmes thirrjes studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Sipas presidentit, largpamësia dhe mençuria vizionare e studentëve shqiptarë të atij brezi, bëri bashkë menjëherë punëtorët dhe intelektualët, pedagogët dhe shkencëtarët.

Gjithë populli shqiptar – pa asnjë mëdyshje, por me bindje dhe vullnet patriotik – përcaktoi edhe rrugën e të ardhmes së tij, sipas Begajt.

“Është pikërisht kjo arsyeja se pse 8 dhjetorin e nderojmë dhe e festojmë si Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shprehur në këtë mënyrë sa mirënjohjen ndaj studentëve dhe të rinjve të asaj kohe, edhe përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj rinisë shqiptare në çdo kohë”, ka vijuar postimin Begaj.

Për të, mesazhi i kësaj dite është amanet, është mision, është detyrim dhe përgjegjësi.

“Idealet e studentëve të dhjetorit 1990 duhet të na frymëzojnë gjithnjë për të punuar me përgjegjësi, me seriozitet dhe përkushtim, në mënyrë që të vazhdojmë pa ndalur rrugën tonë të integrimit euroatlantik”, ka shtuar ai.

Për Begajn, 8 dhjetori është ëndrra e një brezi shprehur në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, por mbetet edhe aspirata e një kombi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore