Kosova

Premtimet e Kurtit: Kryeministri s’e funksionalizoi as Aeroportin e Gjakovës


Foto nga Albanian Post

Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në përfundimin e mandatit qeverisës, ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti, ndonëse ishte zotuar, nuk e mbajti premtimin elektoral për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Këtë projekt, Kurti e pati premtuar kur shpalosi programin qeveritar. Kryeministri i tanishëm thoshte atë kohë se aeroporti do të vihet në funksion me dy shërbime bazë: kargo dhe për udhëtime me kosto të ulët.

Por, premtimi dhe realizmi në këtë rast, për këtë çështje, nuk kanë asnjë emërues të përbashkët.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit lidhur me arsyet pse nuk e kanë realizuar atë për të cilën u zotuan, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer një përgjigje.

Ndryshe nga qeveria, për këtë temë përgjigje kanë kthyer nga Komuna e Gjakovës.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, nga Komuna që drejtohet nga Ardian Gjini, kanë theksuar se nuk kanë ndonjë informacion për këtë çështje, derisa kanë akuzuar ekzekutivin se ky premtim ka qenë “mashtrim elektoral”.

“Si qeverisje lokale asnjëherë nuk jemi kontaktuar nga qeveria e Kosovës në lidhje me Aeroportin e as nuk kemi marrë ndonjë informatë rreth kësaj teme”, thuhet në përgjigjen e komunës për AP.

“Konsiderojmë se premtimi për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës, ka qenë thjeshtë një mashtrim elektoral i kryeministrit aktual, duke e pasur parasysh faktin se komercializimi i tij nuk mund të ndodhë para vitit 2033, bazuar në kontratën e koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës”, shtuan.

Ata kanë potencuar se një gjë të tillë e kanë pasur të qartë edhe në vitin 2021 kur po bëhej fushata elektorale, “por njëjtë vazhdojmë ta kemi edhe sot se ai ka qenë një premtim i kotë për qëllime puro elektorale”.

Ky është vetëm një nga premtimet e shumta që kryeministri Kurti nuk i ka mbajtur.

Madje, drejtoresha e Lëvizjes FOL (organizatë joqeveritare që merret me promovimin e politikave dhe praktikave të qeverisjes së mirë) Mexhide Demolli Nimani, thekson se përveç kësaj për aeroportin, një pjesë e konsiderueshme e premtimeve të VV-së në fushatë as që janë përfshirë në programin qeveritar.

Nga monitorimet që kanë realizuar, ajo ka treguar se një numër i konsiderueshëm i premtimeve të Qeverisë Kurti ose nuk janë realizuar fare ose janë vonuar dukshëm në zbatimin e tyre.

“Ndërsa, disa projekte dhe reforma janë nisur, por që janë larg konkretizimit”, ka shtuar ajo.

Kur ka situata të tilla që nuk përmbushen premtimet, drejtoresha konsideron se kjo krijon zhgënjim tek qytetarët dhe ngrit pyetje për prioritetet dhe kapacitetin e kësaj qeverie për të zbatuar agjendën e saj.

“Në fushatën parazgjedhore u theksuan projekte të shumta në infrastrukturë, ekonomi dhe shëndetësi që synonin të përmirësonin jetesën e qytetarëve. Megjithatë, shumë nga këto projekte nuk janë zbatuar siç pritej”.

Për deputetin nga radhët e Partisë e Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, premtimet si ky për aeroportin e Gjakovës – dhe jo vetëm – Kurti i ka bërë vetëm për një qëllim: “për t’i manipuluar qytetarët dhe kështu t’ia marrë votën e tyre”.

“Edhe ky premtim si 99 për qind e premtimeve të tjera të tij, kanë mbetur vetëm premtime, ato kanë qenë kauza vetëm për të ardhur në pushtet, por jo për t’u realizuar, nuk e di cilin premtim e ka kryer deri sot”, ka thënë Beqa në një bisedë për Albanian Post.

Deputeti Beqa, i cili vjen nga Komuna e Gjakovës, pohon se kreu i ekzekutivit përpos në fushatë zgjedhore nuk është marr më me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

“E them me përgjegjësi që Kurti nuk e ka pasur seriozisht kur ka premtuar që do ta funksionalizojë. Nuk kanë marr asnjë hap të vetëm dhe duhet ta pyesni Kurtin pse nuk ka marr hapa, sepse as nuk e ka në agjendë, as s’ka pasur të ndarë fare buxhet gjatë këtyre viteve qeverisje”.

Deputeti i PDK-së shprehet i bindur se përsëri në kohë të zgjedhjeve do të përdoret ky aeroport.

“S’e ka bërë asnjë tentim për ta funksionalizuar, përveç deklaratave populiste për të marr votën e qytetarëve”, nënvizon ai.

Por, mospërmbushja e këtij premtimi dhe shumë të tjerëve për Beqën nuk është befasi, pasi që vlerëson se ekzekutivi i drejtuar nga Kurti ka pasur “më së paku suksese deri më tani”, në kontekstin krahasimtar me qeveritë e kaluara.

“Qeveria Kurti përkundrazi e ka suspenduar Gjakovën dhe shumë komuna të tjera nga buxheti i Kosovës. Do të thotë e ka shkelur edhe ligjin që edhe atë çka i takon në bazë të numrit të banorëve për investime kapitale nuk i ka orientuar. Nuk ka asnjë projekt deri më tani në Komunë të Gjakovës që lidhen me emrin e qeverisjes Kurti”, ka thënë Beqa për AP.

Ndryshe, Aeroporti i Gjakovës, pas luftës së viteve 1998/99, është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konkretisht nga trupat italiane që shërbejnë në kuadër të misionit.

Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të NATO-s dhe pas një marrëveshje të nënshkruar mes qeverive të Italisë dhe të Kosovës, aeroporti është transferuar tek autoritetet e Kosovës.

Gjashtë vjet më vonë, ka kaluar në shërbim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Nga ana tjetër, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje ka shumë premtime të parealizuara, për një pjesë të të cilave ka raportuar Albanian Post.

Ekzekutivi iu premtoi zgjidhje përfundimtare për strehimin të moshuarve të vetmuar në Kosovë, duke u zotuar se do të ndërtonte pesë shtëpi, por që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Një tjetër premtim, kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo edhe ky zotim nuk është aspak afër realizimit.

Po ashtu, nuk është realizuar as premtimi për rritjen e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.

Partia në pushtet, ishte zotuar se do të krijonte edhe vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë, por çerdhet e finalizuara nuk janë aspak afër numrit të premtuar.

Pastaj, nuk pati veprime as lidhur me premtimin për rritjen e qendrave dhe shërbimeve për gjendjet e caktuara si autizmi, sindromë Doën e të tjera.

Edhe përmes miratimit të Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë, Kurti zotohej se zyrtarëve policorë do t’u garantohej e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Mirëpo, as kjo nuk ndodhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore