Sport

Premier League/ Londra sjell derbi, Liverpool synon afrimin me kreun


Ajo çfarë është realisht java e 24-të e Premier League, vazhdon gjatë ditës së sotme me katër takime tjera.

Për shkak të COVID-19, të gjitha skuadrat përveç Chelsea-s kanë të paktën një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sot, për shëmbull, Arsenal kthehet në aksion pas afro tri javëve, dhe luan kundër Burnley-t që ka katër ndeshje më pak.

Topçinjtë e presin në “Emirates” skuadrën e Sean Dyche, që momentalisht ndodhet në vendin e fundit në tabelë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Mikel Arteta, synon që me një trepikësh të rimarrë vendin e katërt dhe të vazhdojë synimin e tyre kryesor, një vend në Champions pas pesë sezonesh.

Kjo ndeshje fillon në orën 15:00, e në të njëjtin orar luhen edhe dy takime tjera.

Liverpool-i që vjen pikërisht pas fitores përballë Arsenal në kup, kërkon të vazhdojë formën e mirë dhe të afrohet me kreun.

Të kuqt kanë dy ndeshje më pak se Manchester City, dhe nëse arrijnë pikët maksimale në këto dy takimet, atëherë diferenca në krye do të ngushtohet vetëm në gjashtë pikë.

Sot, ata janë mysafirë të Crystal Palace në “Selhurst Park”.

Leicester City në anën tjetër pret Brighton-in.

Dy skuadrat luftojnë për mesin e tabelës, me mysafirët që ndodhen në vendin e nëntë dhe Leicester në të 11-tin.

Ndërsa, ndeshja kryesore zhvillohet me fillim në orën 17:30.

Chelsea e Thomas Tuchel pret ishin e madh, Antonio Conte-n e Tottenham-it, për të zhvilluar derbin e Londrës.

Dy skuadrat, të paktën me ndeshje janë larg.

Chelsea ka 23 të zhvilluara dhe ndodhet në vendin e tretë me 44 pikë, kurse Tottenham ka 19 të zhvilluara dhe ndodhet në vendin e gjashtë me 36 pikë.

Hipotetikisht, nëse Tottenham fiton ndeshjen përballë Chelsea-s dhe të gjitha ndeshjet e mbetura, ata do të kenë 51 pikë, pra vetëm gjashtë më pak se liderët e City-t.

Mirëpo, trajneri Conte ka thënë që synimi i tyre kryesorë është një përfundim në ‘Top 4’.

Chelsea në anën tjetër kërkon që të ruaj pozitën e saj, sepse momentalisht, me 13 pikë më pak se liderët, titulli duket një mision i pamundur.

Me gjithçka që ka mbetur për t’u luajtur, derbi i sotëm pritet që të dhurojë spektakël në maksimum.

Me këtë ndeshje, mbyllet dita e dielë në elitën e futbollit anglez.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore