Shqipëria

Porti i Durrësit merr përmasa ndërkombëtare, Sheiku Alabbar intervistë për CNN


“Për të ndërtuar portin më të madh në Detin Adriatik, në Durrës, me mbi 12 mijë apartamente, hotele, restorante e dyqane, për mua është si të kem një ëndërr”.

Kështu u shpreh kreu i kompanisë EMAAR, sheiku Mohamed Alabbar, të shtunën e 1 majit, në një intervistë për Agjencinë Ndërkombëtare të Lajmeve CNN.

Alabbar e ka vënë theksin dhe te projektet e rindërtimit, të cilat po zbatohen tani, ku fton dhe investitorët e tjerë të kontribuojnë me investime në Shqipëri.

“Nëse arrijmë të kontribuojmë e të bëjmë detyrën tonë si qytetarë të mirë, mund të vëmë në pah rëndësinë dhe vlerën e këtij vendi të qeverisë dhe popullit të tyre”, u shpreh kreu i kompanisë EMAAR.

Porti i Durrësit është një projekt me hapësirë prej 800 mijë metër katrorësh, ku përfshin një tërësi objektesh, apartamente, hotele dhe zyra. Sipas Sheikut, ky model nga Emiratet e Bashkuara, përveç se në Dubai, është realizuar dhe në vende të tjera të botës.

“E kam realizuar në shumë vende, por i fundit ishte në Serbi, ku morëm përsipër stacionin e trenit dhe bëra të njëjtën gjë”, tha Alabbar.

Gjithashtu e ka cilësuar këtë investim të Portit të Durrësit si “front i dytë në Evropën e re”, pasi sipas tij, sjell rritje ekonomike “mbresëlënëse” dhe të fuqisë punëtore.

Theksin e ka vënë dhe në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke vënë në dukje, për median ndërkombëtare CNN, dhe arritjet që ka bërë qeveria shqiptare.

Kompania EMAAR, implementuese e projektit, do të kryejë një investim prej 2 miliardë eurosh në portin e ri të Durrësit. Sipas kryeministrit, ky do të jetë “investimi më i madh në Ballkan”.

Plani pritet të nisë brenda vitit 2023, si pjesë e programit qeverisës 2021-2025 të Partisë Socialiste (PS).

Realizimi i këtij projekti do të vijë me pesë faza. Faza e parë do të nisë në pjesën e braktisur të Portit të Durrësit.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur në prezantimin e projektit, më 16 prill nga Durrësi se, ky plan do të ndryshojë strukturën e industrisë së re të turizmit shqiptar. Gjithashtu, ai do të nxisë efektin ekonomik në bregdetin shqiptar.

Cila është kompania EMAAR?

EMAAR është një ndër kompanitë udhëheqëse në botë për zhvillime infrastrukturore të tilla.

Mohamed Alabbar u lind në një familje modeste. 35 vjet më pas do të shndërrohej në një nga personazhet më të rëndësishëm të Emirateve, botës arabe dhe biznesit ndërkombëtar. Presidenti i EMAAR Group me afro 130 miliardë USD investime.

Biznesmeni dhe sipërmarrësi global i Emirateve, Mohamed Alabbar, është i njohur si themelues i “Emaar Properties” dhe zhvillues i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore