Kosova

Ponosh thotë se Vuçiçi doli si “budalla” kur paralajmëroi largimin e Serbisë: Vetë e pranoi hyrjen e Kosovës në Këshill të Evropës – tash do të lahet nga përgjegjësia


Zdravko Ponosh

Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS), Zdravko Ponosh, në një intervisitë për gazetën serbe “Nova” të hënën, duke komentuar mbi paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, rreth mundësisë së tërheqjes nga Këshilli i Evropës nëse në këtë organizatë pranohet Kosova, tha se ai doli “pothuajse si budalla” para publikut.

Kreu i frontit opozitar “Qendra e Serbisë” shtoi se mundësia që Serbia të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare është një “marrëzi” politike që shërben për të ngritur temperaturën e audiencës serbe, sepse, sipas tij, pala serbe u zotua në kuadër të procesit të dialogut se s’do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Ai formulimi se ‘do të mendojnë diçka’ shërben për të ngritur temperaturën për audiencën vendase. Hyrja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është diçka për të cilën Vuçiç është pajtuar në Marrëveshjen e Brukselit. Nuk dihej as se në çfarë rendi do të pranohej Kosova në organizatat ndërkombëtare në bazë të asaj marrëveshjeje. Vuçiç tani dramatizon publikun vendas”.

“Ai nuk e ka problem hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, as faktin se doli ‘pothuajse budalla’ ashtu sikurse tha ai vetë. Ka të bëjë vetëm me maskimin e asaj që bën dhe ta lajë veten nga përgjegjësia. Ky është edhe qëllimi i fotove të shpeshta me ushtrinë. Në fundjavë, për të rritur shikueshmërinë dhe për të demonstruar zgjuarsi”, shtoi opozitari serb.

Serbia shkeli sërish marrëveshjen e fundit kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë sepse neni 4 përcakton që shteti serb nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore