Lajme

Polonia ka paditur BE-në për gjobën mbi mosmarrëveshjen për sundimin e ligjit


Polonia ka paraqitur një ankesë kundër Komisionit Evropian në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për të ndaluar një gjobë ditore prej 1 milion eurosh të vendosur si pjesë e një mosmarrëveshjeje mbi reformën gjyqësore polake.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Varshava zyrtare beson se gjoba, e cila është rritur në më shumë se 400 milionë euro, duhet të anulohet sepse ajo ka respektuar urdhrin e Gjykatës së BE-së për të shpërndarë të ashtuquajturën dhomë disiplinore për gjyqtarët, tha Ministri i Çështjeve Evropiane Szymon Szynkowski vel Sek.

Masa shënon një përshkallëzim të ri të tensioneve në marrëdhëniet midis Polonisë dhe BE-së në fushën e sundimit të ligjit.

Për më tepër, ndarjet brenda koalicionit qeverisës po e pengojnë Varshavën që të zbatojë një marrëveshje me Brukselin që do të hapte rrugën për 35.4 miliardë euro ndihmë pas pandemisë.

“Dhoma disiplinore e Gjykatës së Lartë u likuidua dhe dispozitat që shkaktuan dyshime në Komisionin Evropian dhe në Gjykatën e BE-së pushuan së zbatuari”, tha Szynkowski.

Muajin e kaluar, Polonia i kërkoi komisionit të pezullojë gjobën nga 15 korriku, pasi parlamenti miratoi ndryshimet që zëvendësuan mekanizmin e kontestuar disiplinor me një dhomë të re.

Qeveria refuzoi të paguante gjobën, e cila ishte akumuluar që nga nëntori i vitit të kaluar.

Në përgjigje, Komisioni Evropian zbret periodikisht shumën e detyrimeve të prapambetura nga pagesat që Polonia merr nga buxheti i bllokut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore