Lajme

Politikani serb: Vrasja e Oliver Ivanoviç-it është simbol i dhunës në Serbi


Oliver Ivanoviç

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Aleksandër Ivanoviç, ka thënë këtë të mërkure se “simboli më i qartë i dhunës në Serbi” është vrasja e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, më 16 janar 2018 në Mitrovicë të Veriut.

Në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”, Ivanoviç, duke folur për protestën e koalicionit opozitar serb “Serbia kundër dhunës” – e cila është paralajmëruar në Beograd në përvjetorin e gjashtë (6) të vrasjes së Ivanoviç-it, pra më 16 janar – vlerësoi se autorët e asaj vrasjeje llogarisin që ai krim të jetë harruar.

Ai ka shtuar se gjashtë vjet pas vrasjes, “atyre [autorëve të vrasjes] u bëhet e qartë se qytetarët e Serbisë dhe familja e tij synojnë të vazhdojnë në luftën për të zbuluar se kush e ka urdhëruar vrasjen”.

Ivanoviç theksoi se emri i koalicionit “Serbia kundër dhunës” ka lindur nga “nevoja urgjente” e qytetarëve për t’u përballur me dhunën e përditshme kudo – “nga rrugët dhe shkollat ​​e deri tek institucionet shtetërore”.

“Nuk mund të jesh aktor politik pa pyetur se kush po vret atë që ka ngritur zërin dhe ka shprehur mendimin e tij. Kush janë njerëzit dhe për interesat e kujt punojnë ata?”, pohoi Ivanoviç.

Ai, duke komentuar mohimet për dëshmitë e vjedhjes së zgjedhjeve të 17 dhjetorit nga Ministri i Punëve të Brendshme, Bratislava Gashiç, potencoi se i njëjti “është dashur të shkarkohej ose të jepte dorëheqjen pasi që deklaroi se Gjermania i fsheh vrasësit e Ivanoviç-it, ndaj kërkoi falje pas reagimit të ashpër të atij vendi”.

Politikani serb nga Kosova u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë plumba në shpinë.

Ngjarja kishte ndodhur para ndërtesës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Më shumë se 5 vjet pas vrasjes, ngjarja nuk është zbardhur ende.

Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e Oliver Ivanoviç-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore