Lajme

Politikanët, strukturat paralele apo mediat – Kush po kontribuon më shumë në atmosferën tensionuese mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë?


Ilustrim/KFOR

Një anketë e realizuar në nëntorin e vitit të kaluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tregon se më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë që marrëdhëniet e tensionuara mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë do të vazhdojnë të mbesin të njëjta edhe për një kohë.

Në pyetjen se “Cili nga përshkrimet e mëposhtme të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës është më i afërt me këndvështrimin tuaj?”, rreth 60 përqind kanë vlerësuar se përveç që marrëdhëniet janë të tensionuara, kjo situatë nuk pritet të ndryshojë për kogja gjatë.

Se marrëdhëniet janë të tensionuara, porse kohët e fundit është arritur njëfarë përmirësimi, konsideruan rreth 20 përqind e të anketuarve, kurse rreth 12 përqind, sipas këndvështrimit të tyre, vlerësuan se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk janë edhe aq të tensionuara.

Rreth 7 përqind të qytetarëve, sipas Pulsit Publik të UNDP-së, vlerësuan se marrëdhëniet janë të tensionuara, porse përmirësime të konsideruashme janë arritur në këtë drejtim, ndërsa mbi 2 përqind kanë mohuar se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbë janë të tensionuara në radhë të parë.

Në pyetjen se “Cila është arsyeja kryesore që aktualisht po ndikon në tensionimin e marrëdhënieve?”, rreth 30 përqind e qytetarëve mendojnë se ndikimin më të madh në acarimin e marrëdhënieve ndër-etnike në Kosovë e ka Serbia si shtet, kurse 25 përqind thanë se faji është te politikanët atje.

Refuzimi i vetë serbëve të Kosovës për t’u integruar në shoqërinë kosovare, në sytë e mbi 13 përqind të qytetarëve është vlerësuar si njëra ndër arsyet që e kanë çuar shoqërinë kosovare drejt tensionimit të marrëdhënieve ndër-etnike.

Në këtë kontekst, rreth 4 përqind e të anketuarve konsideruan se përpjekjet e pamjaftueshme të shqiptarëve për t’i integruar serbët e Kosovës në shoqëri është njëra ndër arsyet që kontribuoi në tensionimin e marrëdhnieve, ndërsa rreth 2 përqind vlerësuan se faji ështe te liderët politikë në Kosovë.

Gjithashtu, vetëm 2 përqind e qytetarëve thanë se strukturat paralele serbe – problemi më i madh në veri të Kosovës – janë fajtorë për tensionet e vazhdueshme, ndërsa më pak se 1 përqind i kanë lënë fajtore mediat në Prishtinë dhe ato në Beograd.

Ndërkaq, nga Pulsi Publik i UNDP-së, një aspekt tjetër që del në dritë – jo për herë të parë – është se historia e konfliktit të armatosur në vitet 1998-1999 në Kosovë vazhdon të ketë më së shumti ndikim në riciklimin e tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Në këtë përmbledhje janë pasqyruar gjetjet për dhjetë treguesit kyç në lidhje me çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike. Gjetjet thuhet se janë bazuar në anketat gjashtëmujore të opinionit publik në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore