Shqipëria

Politika shqiptare mesazh ngushëllimi për viktimat në Kosovë


Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kosovë, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos ka reaguar edhe politika shqiptare.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin, Lulzim Basha, dhe ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës.

“Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë”, shkruan Meta në postimin e tij.

Presidenti ka theksuar se, është besimplotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që sipas tij, meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Nga ana tjetër, Rama shkruan se “jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve”.

Ai u ka dhënë kurajo autoriteteve në këtë moment sfidues.

Ndërkohë Basha në postimin e tij ka shprehur besimin se “autoritetet do të bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”.

Xhaçka e ka cilësuar autorin e ngjarjes si “një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji”.

Çfarë ndodhi në Deçan?

Sipas informacioneve paraprake, një autobus me nxënës u sulmua me armë, ku për pasojë tre persona gjetën vdekjen.

Lajmin për sulmin e autobusit me armë zjarri për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sulmi ka ndodhur në fshatin Gllogjan ndërsa ai është kryer nga persona të panjohur deri më tani”, ka treguar Gashi, i cili ka mundur të konfirmojë se deri tani dihet për dy të plagosur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore