Shqipëria

Politika është beteja e përditshmërisë dhe arti, një lutje – Edi Rama, artisti kryeministër dhe kryeministri artist “një dhe i vetëm në botë”


Judith Benhamou, gazetarja e spikatur franceze në botën e artit, drejton një pyetje për të përcaktuar vijën ndarëse të limitit: Edi, kur e di se duhet të jesh një politikan dhe kur se duhet të jesh një artist?

“Jo, unë di diçka tjetër”, i vjen përgjigja. “Jam artisti më i mirë ndër kryeministrat dhe jam kryeministri më i mirë ndër artistët. Dhe jam një i vetmi në botë”.

 

Nuk është megalomani, por ballafaqim me substancën e tij artistike në politikë dhe politikën e tij substanciale në art.

Edi Rama, kryeministri shqiptar prej vitit 2013, duket se nuk di t’i përgjigjet thjeshtë pyetjeve, por kërkon të komplikojë me fjalë, ato çfarë i ndoshta i thjeshton në art. Ose e anasjella!

E gjitha, si një pasqyrë e drejtuar për nga vetja, në prag të hapjes së ekspozitës së veçantë të Edi Ramës (piktorit dhe skulptorit) në Galerie Marian Goodman, të Parisit.

Ndonjëherë, arrin që edhe me fjalë, ta thjeshtojë atë çfarë ndërlikon në imazh.

“Mendova se politika është beteja e përditshmërisë. Dhe arti është si një lutje”, përkufizon Rama atë çfarë përbrendëson krijesa e tij artistiko-politike.

 

Dukshëm të parën e dashuron…me të dytën jeton!

Meritat – ato artistike – nuk ia lënë pas as vetë drejtuesit e Galerisë në hapje të ekspozitës së tij monografike.

Në kashenë e hyrjes, shkruhet: Galeria Marian Goodman ka kënaqësinë të prezantojë një ekspozitë të re personale të Edi Ramës, artist dhe kryeministër aktual i Shqipërisë. Kjo ekspozitë e parë monografike e madhe në Paris, ku Rama jetoi në vitet 1990, ofron një panoramë të praktikës së tij artistike përmes vizatimeve në letër, letër-muri të printuara, skulpturave të qeramikës dhe një ekrani të palosshëm të qëndisur me dorë.

Ansambli, rezultat i një procesi krijues të paprecedentë, nënvizon marrëdhënien e ngushtë të artistit me ngjyrën. Ngjyra ka qenë thelbësore për Ramën, si në karrierën e tij politike ashtu edhe në praktikën e tij artistike, për aftësinë e saj për të përcjellë elemente të psikikës, por edhe për potencialin e saj për të ndryshuar perceptimet tona dhe për të gjallëruar dialogun midis individëve.

Ai ndoshta ende se ka dëshirën ta kuptojë se kur duhet të jetë kryeministri dhe kur artisti, duke i ndërthurur estetikisht dy sojet në një krijesë dhe duke u shfaqur si i tillë pa komplekse.

Por, ajo çfarë duhet doemos të dijë në këtë hapje ekspozite – edhe pse mund ta përbrendësojë pa e shprehur – është një: Dialogu, në këtë rast, është ai vetë. Politik dhe artistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore