Kosova

Politika dhe siguria e Kosovës, çështje diskutimi mes Lajçak dhe Orav


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav dhe i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Orav përmes një shkrimi në platformën ‘X’.

“Kënaqësi të takohesha sot me përfaqësuesin special të BE-së Miroslav Lajçak, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë”.

“Si përfaqësues special i BE-së në Kosovë, pres me padurim të bashkëpunoj me të gjithë aktorët e familjes së BE-së për të forcuar qasjen ‘Team Evropë’ në terren”, ka shkruar Orav.

Pas rreth dy orë diskutimesh i deleguari i Bashkimi Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se vizita e tij në Kosovë dhe takimi me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, kishe për qëllim “përgatitjen e një takimi të nivelit të kryenegociatorëve, i cili do të mbahet në ditët e ardhshme”.

“Ne diskutuam në detaje agjendën e këtij takimi dhe çështjet të cilat duhen diskutuar”, tha ai në një konferencë të shkurtër për media, të premten.

Edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, sipas diplomatit sllovak, ka qenë njëra ndër çështjet e diskutuara me Bislimin.

Ndër çështjet kryesore të diskutuara, të premten, sipas Lajçak ka qenë se si mund të zhbllokohet ngërçi në raport me mosimplementimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore