Shqipëria

Policia vijon operacionin “Tempulli”, arreston një tjetër shtetas në Tiranë


Autoritetet kanë vënë në pranga një 29-vjeçar në kuadër të mega-operacionit “Tempulli”, duke shkuar në 94 numri i shtetasve të ndaluar.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kilogramë kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 mijë euro, 6 mijë paundë, 4 milionë e 500 mijë lekë dhe 12 targa automjetesh.

Në rrugën “Mine Peza”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi A. Sh., banues në Tiranë, bën me dije Policia e Shtetit.

29-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Për arrestimin janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shtoi Policia.

Taulant Balla

Ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, deklaroi më herët se mega-operacioni “Tempulli” është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit.

Ai falënderoi uniformat blu për mega-operacionin, i cili çoi në pranga 233 shpërndarës droge si dhe u bë e mundur goditja e 23 rrjeteve kriminale.

“Kemi arritur të japim goditjen e parë të madhe, edhe pse është një punë që është zhvilluar muaj pas muaji, vit pas viti, por e vërteta është që operacioni kombëtar ‘Tempulli’ është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit”, theksoi fillimisht Balla.

Ministri shqiptar beson se Policia e Shtetit ka marrë vlerësim tejet pozitiv nga publiku për këtë goditje.

“Ky është një tregues domethënës për seriozitetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit kundër çdo veprimtarie të paligjshme. Ky operacion ka shënuar një prej momenteve me të suksesshme të punës hetimore të strukturave të policisë”, shtoi ai.

Pse ky operacion ka rëndësi të veçantë?

Aspekti i parë lidhet me faktin se operacioni është zhvilluar pak ditë pas nisjes së sezonit të ri shkollor në gjithë vendin.

Shënjestër kryesore në fakt kanë qenë ata, të cilët ministri i Brendshëm i etiketoi si “spaçatorë” – pra shpërndarës të drogave të lehta e të forta në perimetra shkollorë, të cilët sot janë të rrethuar nga Policia dhe mbikëqyren aktivisht nga efektivët e rendit.

Po ashtu, operacioni vjen në ditën kur në Tiranë, po zhvillohet një ministerial tepër i rëndësishëm i ministrave të Brendshëm të gjithë Bashkimit Evropian, në kuadër të mbajtjes së ardhshme të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Ky është edhe një mesazh i qartë ndaj bashkësisë ndërkombëtare se Shqipëria po kërkon një reformimi në radhët e bluve.

Teksa, nuk duhet anashkaluar fakti suksesi ka qenë i lartë, pasi nga 296 masa arresti, 233 janë ekzekutuar dhe të tjerat janë në zhvillim, pasi operacioni vazhdon për kapjen e 63 të mbeturve.

Ku u shtri operacioni dhe çfarë u evidentua?

Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Shtrirja e këtij operacioni gjithsesi ka qenë në rangun e tetë muajve dhe gjatë kësaj kohe, janë sekuestruar “829 kilogramë kanabisi, një pjesë e përpunuar në formë çokollate, 61 kilogramë heroinë, 5.2 kilogramë drogë ekstazi dhe të ndaluar në tërësi në tetë muaj janë 1 mijë e 541 shtetas për shitje lëndësh narkotike”.

Ministri Balla ka nënvizuar se asnjë grup kriminal nuk do të lejohet të veprojë brenda perimetrit të sigurisë në shkollat e vendit dhe se format e dënimit për raste të tilla do të dyfishohen.

“Do dyfishohen format e dënimit për shpërndarjen e shitjen e lëndëve narkotike brenda perimetrit të sigurisë së shkollave”.

Ai ka nxitur Policinë e Shtetit ta ruajë këtë qasje të re në luftën kundër narkotikëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore