Kosova

Policia thotë se Molliqajt i la ftesë për paraqitje vullnetare, por nuk e përfilli


Kryetarit i partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Policia e Kosovës, ka thënë për arrestimin e kryetarit të partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj se i kishte lënë ftesë për të u paraqitur vullnetarisht në stacion policor, por i njëjti nuk e ka përfillur.

“Ndërkohë që policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Ndërkaq, tutje bëhet e ditur se Molliqaj është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

“Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

Përveç Molliqajt, i arrestuar është edhe aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani.

“Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; -D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”.

Të dy akuzohen për “sulm ndaj personit zyrtar” në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj është arrestuar të martën e një shkurtit nga policia e Kosovës afër zyrave të T7, ku pritet të transmetohet drejtpërdrejtë emisioni Pressing.

Molliqaj ishte i ftuar në këtë emision për të diskutuar lidhur me protestën e fundit kundër shtrenjtimit të energjisë dhe për arrestimin e aktivistit të PSD-së.

Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga 29 janari kur u mbajt protesta e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, pasi që më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa goditi me një shuplakë një zyrtar policor.

Ndryshe, Molliqaj me 30 janar është deklaruar lidhur me këtë incident duke thënë se “përgjegjësia mbi incidentin më takon mua”.

“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, shkroi Dardan Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore