Lajme

Policia sekuestron një armë të një serbi në Veri


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se njësiti policor në veturën me targa të Serbisë një të dyshuari serb i ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.

Në raportin e Policisë është thënë se rasti ka ndodhur në veri të Mitrovicës, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Njësiti policor në veturën me targa të Serbisë pronë e të dyshuarit mashkull serb ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë pa municion. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Edhe një person ka pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal të Prizrenit, pas një mosmarrëveshje verbale ai është sulmuar me thikë nga dy persona.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës

“Viktima mashkull kosovar pa pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal Prizren pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht me thikë nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa, në raport është thënë se njëri nga të dyshuarit është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe një person tjetër është dërguar për tretman mjekësor pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin, e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore në Kaçanik.

“Viktima mashkull kosovar është dërguar për tretman mjekësor, pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar i njëjti e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”.

Edhe në Suharekë është arrestuar një person, nën dyshimin se vrau një person nga pakujdesia.

Në raportin 24 orësh të Policisë, është sqaruar se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 21:54, ndërsa është iniciuar si “Vrasje nga pakujdesia”.

“Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

Policia ka shtuar se rasti është në procedurë hetimore.

Edhe një person është arrestuar në Drenas, nën dyshimin se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj dy grave dhe një burri.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur më 29 qershor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin me datën 29.06.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj tre viktimave dy femrave dhe një mashkulli kosovarë”.

Kurse është thënë se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore