Shqipëria

Policia sekuestron dhjetëra kamera të tjera sigurie në tre qarqe


Policia e Shtetit ka vijuar aksionin e sekuestrimit të kamerave të cilat janë të kundraligjshme në Shkodër, Lezhë dhe Dibër.

Pas më shumë se dy javësh, autoritetet kanë sekuestruar një shifër të përafërt prej 500 pajisjesh survejuese, të cilat ishin në dorën e krimit të organizuar, shumica prej tyre ende pa autor.

Në qarkun e Shkodrës, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera, bëjnë me dije autoritetet.

Në qarkun e Lezhës, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen.

Për katër kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për 1 shtetase, sqaroi Policia.

Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera.

Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, kanë përfunduar tre shtetas.

Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total gjashtë kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për katër shtetas.

Nga ana e autoriteteve është bërë e ditur se pjesë e goditjes së operacionit janë bërë të gjitha kamerat të cilat nuk janë në përputhje me ligjin.

Pra, si ato që janë nga subjekte që kapërcejnë fuqinë e ligjit, apo nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo e kalojnë perimetrin ku mund ta vendosin kamerën, pra subjekte private që futen në hapësirën publike.

Kush vëzhgon, çfarë vëzhgon?!

Lufta e shpallur ndaj “syve” të krimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore