Kosova

Policia prapë në Bankën Postare Kursimore në Veri, për të hapur kasafortën që s’pati çelës


Foto nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës, pas 10 ditësh prapë ka hyrë në zyrat e njërës prej selive të Bankës Postare Kurismore në Mitrovicën e Veriut, kjo për shkak se njëra nga kasafortat s’kishte pasur çelës në aksionin paraprak.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Në njërën nga gjashtë selitë kur kishim kryer aksionin para disa ditësh na kishte mbetur një kasafortë pa hapur për shkak se s’kemi pasur çelës. E kemi siguruar çelësin, kemi bërë kontrollimin dhe pastaj kemi dalur nga objekti”, ka thënë Elshani për AP.

Pos Policisë së Kosovës, të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të EULEX-it.

Më 21 maj, “Banka Postare Kursimore” e Serbisë kishte reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës, e cila kishte mbyllur gjashtë filiale të kësaj banke në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, ku u konfiskuan një shumë e konsiderueshme e parave.

Sipas tyre mjetet e të gjitha klientëve janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen.

Në një komunikatë për media, Banka në fjalë, tha se përkundër “ndalimit të përkohshëm” të funksionimit të degëve në Veri të Kosovës, klientët mund të kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta, të cilat ndodhen në vendkalimet kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Konçul.

Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, kishte njoftuar se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.

Për aksionin në fjalë të Policisë së Kosovës, kishte reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore