Kosova

Policia për aksionin në Veri: Konfiskuam dokumentacione e pajisje teknologjike


Foto nga arkivi

Policia e Kosovës, pas përfundimit të aksionit në Veri ku janë mbyllur pesë objekte të komunave ilegale, ka njoftuar se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

Lajmin e ka bërë ditur policia përmes një komunikate për media, duke treguar edhe gjësendet që janë gjetur dhe sekuestruar.

“Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu,  disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë”.

Nga policia është thënë se i tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, komuna paralele e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut, komuna paralele e Leposaviqit”, ka shkruar Krasniqi, të premten.

Më 26 janar, edhe në fshatin Vranisht të Dragashit, janë mbyllur katër komuna paralele, ku ai ka thënë se janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

Mbyllën pesë objekte komunale paralele në Veri, Krasniqi: Funksionuan nën direktiva të Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore