Kosova

Policia me aksion në Banjë të Zveçanit, po verifikon terrenin


Ilustrim

Policia e Kosovës këtë të premte po zhvillon një aksion në Banjë të Zveçanit me qëllim verifikimin e terrenit, meqë të enjten, policia pikërisht në vendin ku ndodhi edhe sulmi terrorist, sekuestroi një flamur të shtetit të Serbisë, 34 gëzhoja, , një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Është një veprim policor që është duke u ndërmarrë nga ana e Policisë së Kosovës me qëllim verifikimin e terrenit për ndonjë send të dyshimtë, si armë, municion ose diçka tjetër që ka mbetur nga rasti i Banjës”, tha Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, shkurtimisht për Albanian Post.

Sipas Elshanit, Policia e Kosovës aktualisht është duke patrulluar rrugët në fshatin Banjë të Zveçanit.

Çfarë ndodhi?

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.

Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në Veri të Kosovës.

Autoritetet serbe bënë të ditur Radojiçiç është marrë në pyetje nga Prokuroria në Beograd për sulmin në Banjë dhe se është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi dhe ia konfiskoi dokumentet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte Veriun e Kosovës.

Policia në Banjë të Zveçanit sekuestron një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja dhe 689 fishekë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore