Kosova

Policia konfiskon armë në Veri, i dyshuar është një ish-zyrtar policor


Armatimi i konfiskuar në Veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media të martën në mbrëmje, kanë njoftuar se janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armatimit në pjesën veriore të Kosovës, që dyshohet se kanë mbetur aty pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit.

Hoxha, gjatë fjalimit në një konferencë të jashtëzakonshme ka potencuar se lidhur me këtë armatim Policia e Kosovës ka siguruar informacione nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas tij bastisjet janë kryer në rrethinën e Komunës së Zveçanit, konkretisht te pjesa e Rudarës.

Hoxha ndër të tjera ka potencuar se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1 mijë e 500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.

Lidhur me këtë rast, Hoxha, ka thënë se tashmë është ndaluar për intervistim një person i cili ka qenë ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.

Armatimi i konfiskuar në Veri

Ndërkaq, Sveçla, ka potencuar se ky lloj i armatimit tashmë i konfiskuar është i ngjashëm me armatimin e përdorur në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjë të Zveçanit.

“Një pjesë e këtij armatimi është përdorur më herët për të shkaktuar ndjenjë pasigurie te qytetarët. Situata e tanishme në këtë pjesë është e qetë falë sukseseve të policisë, kemi më pak armë në duart e tyre e më shumë informata të grupit të Radojiçiç-it që i vazhdojnë trajnimet në Serbi e siç duket edhe në disa pjesë të Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ndër të tjera ka deklaruar se ata që cenojnë rendin kushtetues dhe shkelin ligjin herët a vonë “të gjithë do të dalin para drejtësisë dhe do të dënohen bazuar në veprat që i kanë shkaktuar apo planifikuar për t’i shkaktuar në cenim të sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore