Kosova

Policia gjen kamera ilegale në kufi me Serbinë, dyshohet se përdoreshin nga kontrabanduesit


Foto nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka gjetur dy kamera me solar në kufi më Serbi të cilat ishin vendosur për t’i vëzhguar rrugët nga fshati Ranillug në drejtim të fshatit Konçul në Serbi.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Pas pranimit të informatave nga Njësia e Inteligjencës e Policisë Kufitare Lindje, për dyshime të vendosjeve të paautorizuara të kamerave në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, më 06.05.2024, në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi), kanë gjetur dy kamera me solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët”.

“Dyshohet se kamerat janë vendosur nga persona të dyshuar që merren me kontrabandë të mallrave”, është thënë në komunikatën e policisë.

I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë teksa automjeti është sekuestruar.

“I dyshuari, recidivist i veprës “Kontrabanda me mallra”, është shoqëruar në polici, ndërsa nga verifikimi i automjetit është vërtetuar se i njëjti nuk ka asnjë hyrje-dalje përmes Pikave të Kalimit Kufitar, andaj dyshohet se i njëjti, këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.

Për këtë rast është thënë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

Më 22 dhjetor, drejtoria rajonale e Policisë së Gjilanit, kishte sekuestruar kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në Kllokot, Partesh dhe Ranillug komuna këto me shumicë serbe, e që dyshohen se ishin ilegale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore