Kosova

Policia gjen armatim në Zveçan


Foto nga arkivi

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë një bastisje në fshatin Rudar i Madh në Zveçan janë gjetur disa armë dhe dy maska të ushtrisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë, teksa rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë ajrore me municion, një AK 47, një pistoletë me dy karikatorë, 10 fishekë kal.7.62 mm, 9 fishekë kal.9 mm, një rigë me gjashtë copa dhe një me tetë copa, dy maska të ushtrisë, dy pelerina për shi dhe dy thasë për fjete”.

Lidhur me këtë rast është thënë se është intervistuar i dyshuari dhe me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Për dy herë radhazi institucionet e Kosovës gjatë muajit qershor kishin gjetur armatim në pjesën veriore.

Më 14 qershor, Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se konfiskimi i sasisë së armatimit në Veri të Kosovës, ishte bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës (AKI).

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një konferencë për media kishte thënë se operacioni është bërë në disa lokacione ku ndodhej armatim i fshehur nga ish-pjesëtarë të Mbrojtës Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjës.

“Lokacioni i parë ka qenë në Veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviç, ndërsa lokacioni tjetër ka qenë në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në Veri të Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviç”, deklaroi Elshani.

Edhe më 13 qershor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë një armë të gjatë, mjete eksplozive, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore