Lajme

Policia e Kosovës mohon hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka mohuar se xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës, ashtu siç u raportua të martën e kaluar në disa media në Kosovë.

Raportimet ishin se serbët janë futur në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, por raporti i policisë shpjegon se bëhet fjalë për diçka tjetër.

“Nuk ka të bëjë me hyrje të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, por kemi të bëjmë me realizim të një takimi zyrtar në cilësi të takimeve të rregullta”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate shkrimet e publikuara “nuk qëndrojnë dhe nuk i përkasin ndonjë informacioni zyrtar, pasi në datën gjashtë prill 2021, është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it, në përbërje prej KFOR-it Amerikan, Turk dhe palës serbe”.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar ka pasur raste kur xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e fshatit Karaçevë, prandaj banorët e këtij fshati kishin protestuar.

Fshatarët e asaj zone ishin ankuar që jo rrallë provokohen në forma të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore