Lajme

Policia e Kosovës aksion kundër trafikimit me njerëz, mbyllen tetë lokale


Lokalet e mbyllura nga aksioni i policisë së Kosovës.

Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore (DHTQNJ) dhe njësitë tjera të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë aksion në disa rajone të Kosovës, për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit me njerëz.

Këtë e ka bërë të ditur policia e Kosovës përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se janë mbyllur tetë lokale si dhe janë kontrolluar 43, ndërkaq janë shqiptuar gjoba dhe vërejtje për mungesë të dokumenteve të punës

“Kjo drejtori (DHTQNJ), njësitet tjera të specializuara ato për reagim të shpejtë dhe Drejtoria për migrim dhe të huaj, në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve të punës, atyre të ATK-së dhe inspektorëve komunal”, thuhet në komunikatë të Policisë së Kosovës.

Po ashtu edhe, “njësi tjera të profilizuara, stacioneve policore në kuadër të Policisë së Kosovës kanë zbatuar Planin Operativ të koduar me emrin “Dhjetori 2021” i cili plan është realizuar njëkohësisht në disa rajone të Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, janë hasur 286 punëtorë, 206 prej të cilëve femra. Shumica nga ta shtetas të huaj ku vetëm nga Shqipëria janë 133 nga ta, kurse 19 nga Serbia e dy nga Bullgaria.

Raporti i policisë së Kosovës.

Ndryshe, edhe me 3 dhjetor, policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK”.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Ndërsa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.

“Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore