Lajme

Polemikat nga distanca, vettingu përplas stafin e Osmanit me ish-ministrin e Drejtësisë


Ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe stafi i presidentes Vjosa Osmani, kanë pasur dje polemika në rrjetet sociale në lidhje me luftimin e krimit, korrupsionit por edhe vettingun, proces ky që është nisur nga Qeveria Kurti.

Raporti i Këshillit Evropian për Kosovën, që është i përvitshëm, u kritikua qasje e Kosovës ndaj vettingut, duke e konsideruar si “shqetësim serioz”.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, doli në një konferencë për media dhe nuk ngurroi ta kontestonte raportin, duke thënë se vettingu do të bëhet dhe është i domosdoshëm.

“Nuk pajtohem fare më këtë konstatim. Në fakt mungesa e vettingut do të ishte shqetësim serioz dhe jo përmbushja e këtij procesi. Mos realizimi i vettingut nuk i kontribuan përpjekjeve të institucioneve për sundimin e ligjit, e as të ardhmes evropiane të vendit tonë”, tha Osmani.

Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj, Selim Selimi, reagoi përmes një postimi në Twitter duke thënë se i vjen keq që “Osmani është e painformuar”.  Selimi po e sheh krejt këtë punë të Osmanit si tentim për ta mbrojtur kryeministrin Kurti,

“Më vjen keq që Presidentja godet për vetting pa qenë e informuar. E lus që të konsultohet me profesionistë. E kuptoj që duhet me gjetë një pikë goditjeje me e mbrojtë KM por mos të kapet për shkatrrimin total të mundësisë së forcimit të sistemit të drejtësisë e që quhet veting”.

Për t’i dal në krah Osmanit reagoi këshilltari i saj, Artan Murati, duke fajësuar dy ish-ministra të Drejtësisë për dështimin e vetingut.

Këshilltari i Osmanit, Artan Murati ka thënë se shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë apo edhe kolegu i tij nga AAK-ja, po ashtu ish-ministër i Drejtësisë, do të ishin angazhuar për shfrytëzim të vërtetë të mekanizmave ekzistues për luftimin e krimit e korrupsionit, kjo dilemë do ishte shuar me kohë”.

“Frikë nga vetingu kanë ata që i frikësohen prokurorëve dhe gjykatësve që veprojnë me duart e lira dhe pa instruksione nga grupet joformale politike e ekonomike. Presidentja Osmani është e vendosur në çlirimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga këto kufizime që janë bërë barrë e padurueshme e padrejtësisë në Kosovë”.

“Nga raportet e Komisionit Evropian të cilat ndër vite e patën “kapjen e shtetit” si kryefjalë e deri tek raportet ku si shqetësim evidentohet nevoja për veting ose jo, ka progres e sukses të madh”, thotë Murati.

Selimi sërish i është përgjigjur Muratit, duke thënë se gjykatësit dhe prokurorët janë heronjë e jo marioneta.

“I nderuar @artanmurati nuk i frigohem unë prokurorëve e as gjykatësve me gjithë tendencën tënde për ta politizuar drejtësinë. Kam respekt për ty e informoje Presidenten mirë. Prok e Gjyk janë heronjë e jo marioneta për ti kontrolluar ti e kasta juaj kapëse. Informoje Presidenten”.

Në ndërkohë, Selimi sërish ka thumbuar Osmanin përmes një postimi në Facebook, duke ia rikujtuar se këshilltarët kanë për detyrë ta këshillojnë mirë, e jo gabim. Por, ia ka rikujtuar se nga këshillat e Osmanit pësoi ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

“E nderuara Znj. Presidente, sot këshilltarët tuaj patën rastin që të promovohen pak nëpër media. Përderisa këshillat e mia kontribuan në përfundim të suksesshëm të mandatit të Presidentes Jahjaga, këshillat tua ja humbën mandatin Presidentit Sejdiu”.

“Të lutem merru me këshilltarë e informohu mirë që mos të gjejë fati i Presidentit Sejdiu”, ka shkruar Selimi.

Kosova për çdo vit merr vlerësimin nga Këshilli Evropian për progresin e përgjithshëm, që në raportin e fundit u kritikua për qasje shqetësuese ndaj vetingut.

Kjo bëri që reagime të ketë nga krerët e shtetit, por edhe vartës institucionesh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore