Lajme

Polemika për djalin e Netanyahut: Ushtar i mediave sociale dhe jo i betejës


Nadav Padan jeton në Brooklyn.

Pas sulmit terrorist të Hamasit, ai mori dhjetëra telefonata dhe email nga miqtë në Izrael.

Shumë prej tyre janë ushtarë, të tjerët janë rezervistë. Por të gjithë në vijën e frontit duke mbrojtur Izraelin.

Padan nuk ngurroi për asnjë moment dhe hipi në një fluturim për në Tel Aviv për t’u bashkuar me 360 mijë rezervistë të tjerë në mbrojtje të shtetit hebre.

Historia e tij është e ngjashme me atë të të paktën dy mijë të rinjve nga New York-u, të cilët, sipas zëdhënësit të Konsullatës izraelite në qytet, u nisën menjëherë për në Tel Aviv.

Një mijë të tjerë u larguan nga qytete të tjera në Amerikë.

Ashtu si Ariel Nurieli, 25 vjeç, nga Miami. “Babai im më tha se është krenar për mua”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Yair Netanyahu ka një mbiemër të rëndësishëm.

Prej muajit prill ai jeton në një “mërgim” të këndshëm në Miami.

Yair është 32 vjeç dhe për këtë arsye ka ende kohë për t’u regjistruar dhe për t’i shërbyer vendit të tij.

Por ndryshe nga Padan, djali i Netanyahut e ka kufizuar mbështetjen e tij për ushtarët në vijën e parë dhe në pjesën e pasme në disa histori në Instagram.

Jeta e mirë e djalit të diskutueshëm të liderit të Likud-it nuk u prish shumë nga ngjarjet e 7 tetorit.

Dhe teksa 4 për qind e popullsisë së Izraelit veshin kamuflazh ose hipin në tank, Yair nuk dorëzohet dhe vëzhgon nga brigjet e Florida-s.

Ose nga New York-u ku kaloi – duke gjykuar nga historitë e postuara në mediat sociale – disa ditë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Me atë rast ai vendosi foton gjigante të babait të tij që ishte varur në Times Square në Instagram dhe e kishte filmuar veten duke ecur me një qen në Central Park.

“Ai po argëtohet në plazhin e Miamit, unë jam në vijën e parë”, ka thënë një ushtar.

“Ne jemi ata që lamë punët, familjet, fëmijët tanë për të mbrojtur të ardhmen e të gjithëve dhe jo ata që janë përgjegjës për këtë situatë”, ka thënë një tjetër.

Dhe shumë e kanë pranuar se kjo sjellje nuk e ndihmon “moralin” e kombit.

Yair është teknikisht “i rekrutuar” pasi është nën 40 vjeç, por ai e shet afërsinë e tij me kauzën e Izraelit në Instagram, ku poston intervista me organizata që ndihmojnë familjet e prekura nga brutaliteti i veprimit të Hamasit.

Djali i madh i kryeministrit ka kryer shërbimin ushtarak, ka qenë disa herë në ushtri, por nuk ka qenë kurrë në luftime.

Ai ishte në zyrën e komunikimit të IDF-së.

Yair ka jetuar në SHBA që nga prilli kur prindërit e tij vendosën se shpërthimet e tij politike dhe sulmet frontale ndaj kritikëve të qeverisë po bëheshin problem.

I riu në fakt ishte dalluar me postimet e tij në platformën X kundër të majtëve dhe kundër të gjithë atyre që kritikonin reformat e Likud-it.

Shpesh deklarata nxitëse që nuk kishin kontribuar në zbutjen e klimës së tensionit të dimrit dhe pranverës së kaluar në shtetin hebre.

Tensione këto, të shënuara nga protestat më të mëdha në rrugë kundër reformës gjyqësore të dëshiruar nga e djathta ekstreme.

Arratisja e tij në Miami e shpëtoi nga ankesat për shpifje, aktiviteti i tij i detyrueshëm në mediat sociale u zvogëlua gradualisht.

Tanimë me një aktivitet zero në X, ai ka vijuar herë pas here në Instagram deri më 7 tetor kur u bë ‘ushtar i mediave sociale’ dhe jo ‘i teatrit të betejës’.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore