Shqipëria

Polaroidi i fundit i Helidon Halitit


Kryeqyteti mund të ketë bare luksoze, kafene, njerëz që mund të pinë dhe hanë mirë, por kryeqytetit i mungon interieri i tij (muzeumet cilësore) dhe aktivitetet private.

Kështu i shpreh rezervat e tij, artisti multidimensional Helidon Haliti teksa rrëfen për Albanian Post “kalvarin e historisë” së artit pamor në Shqipëri.

Duke kthyer sytë para viteve 90 për piktorin, Tirana ishte një qytet i stabilizuar, por gjithsesi ishte i stabilizuar ngurtë.

“Alternativat ishin jashtëzakonisht të pakta dhe njerëzit kishin kufizime për të parë alternativa të ndryshme, por gjithsesi ishte një qytet i bërë në mënyrë të ftohtë por racionale, pa atë zhurmën e kryeqyteteve të mëdha”, thekson ai në nisje të fjalës së tij.

E megjithatë, me ardhjen e pluralizmit shumëçka ndryshoi. Madje edhe arkitektura.

Artisti rrëfen se pas viteve 90 “një kaos i çuditshëm e pushtoi Tiranën” dhe e ktheu “në një nga qytetet më kaotike për sa i përket arkitekturës, ku gjithë njerëzit filluan të ndërtonin siç ata mendonin, pa rregull, pa ndonjë ëndërr për të krijuar një qytet të rregullt”.

Për të, Tirana humbi qendrën e vetë, grija pushtoi.

“Ndërkohë që të gjithë donin të vendosnin gjurmën e tyre, zhurma e të ndërtuarit nuk kishte zhurmën e ngjyrave të çrregullta. E kam fjalën për pikturimin e çrregullt ose në mënyrë kaotike. Kjo gjë nuk ndodhi në Tiranë. Grija si ngjyrë betoni, grija si simbolikë që është një instalacion, proces ndërtimi që krijon një rutinë aspak të këndshme”.

Pavarësisht këtij “terri” arkitekturor, Tirana po përpiqet të ngjyroset disi.

Mural Fest

Sipas Halitit, festivali “Mural Fest” bëri një përpjekje për të vendosur disa pika ngjyrimi në qytet, por “të jem i sinqertë dhe ajo ka rrezikun e vetë”.

“Kishte rrezik sepse duhej të bëhej në mënyrë profesionale dhe me eksperincën e duhur, pasi e di çdo të thotë pikturimi keq i mureve. Jemi munduar t’i japim pak ngjyrë një qyteti, që është atraktiv në eksterierin e tij, por është aq i lëvizshëm sa njerëzit shpesh nuk kanë kohë të ngrejnë kokën dhe të shikojnë një vepër arti”.

Kjo pasi, “qyteti është i tejmbushur me reklama apo me ngjyrime tejet të zakonshme të ftohta (banera) apo dritat si në çdo kryeqytet tjetër”.

“E jashtmja e Tiranës ka shumë aktivitete, por ato i përkasin muzikës, melodisë, zhurmës. Kryeqyteti na mbyt të gjithëve. Arti pamor çedon shumë. Nuk e them për talentet. Shqipëria ka shumë talente të mëdha, por çështja është se këto duhen kultivuar, të ju jepet një mundësi, oportunitet”.

Pikërisht, sipas Halitit, këtu ndihet mungesa.

“Sallat e ekspozimit janë në numër të vogël, as sa gishtat e një dore. Nëse do ju jepet vëmendje këtyre gjërave jam i bindur që Tirana do të plotësohej. Por mesa duket, kjo ndodh më ngadalë në Shqipëri. Nuk ka një lloj politike që të krijojë stabilitet brezave pasi nuk flitet për eksperiencë personale të një artisti të vetëm, por të një grupi artistësh që duhet shkëmbejnë biseda, të dialogojnë”.

Piktori, Helidon Haliti

Dhe përsëri, për piktorin ka shpresë, shpresë se “pas disa vitesh kur të mbarojnë investimet, do ketë hapje të madhe të artit pamor”.

Përpos këtij lloj arti, Haliti i mëshon edhe koleksionimit. Kjo, pasi humbasin shumë vepra të artistëve shqiptarë.

“Tepricat e dikujt janë pasuri për dikë tjetër. Duhen më shumë fonde për të koleksionuar veprat. Historia ka nevojë për freskim dhe ka kohën e vetë për t’u vlerësuar. Kjo ndodh dhe me artin pikturik. Duhet dhe mbështetje për koleksionistët privatë. Galeritë duhet të ishin pa taksa, të kishte rimbursim nga shteti”.

Për tu kthyer sërish pas në kohë, artisti multidimensional ravijëzon se rryma e socializmit e krijuar nga diktatura është gjëja më e vyer për artin pamor shqiptar, pasi “kemi rreth 1 mijë kryevepra të socializmit pavarësisht propagandës që ata kanë”.

Dhe në përmbyllje të rrëfimit, siç e thotë vetë ai “polaroidi” i fundit i rrugëtimit të tij do të ishte një shkrepje e koleksionit privat në një muze, pasi “unë vetë kam një koleksion shumë të madh veprash arti, të piktorëve të huaj, padyshim dhe të atyre shqiptarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore