Lajme

Po tani kush do e shtrëngojë dorën e Putinit, hajdutit të fëmijëve?


Tregon një i penduar i mafies, se në vitet 90’, kur në kupolën e Cosa Nostra-s diskutohej për të organizuar një atentat në Itali, njëri prej bosëve provoi të kundërshtonte duke thënë se shpërthimi i bombës në vendet publike, do të rrezikonte pa dyshim që të vriteshin edhe fëmijë.

Atëherë, bosi i bosëve, Toto Riina, i ngriu të gjithë: Fëmijë në Sarajevë vdesin shumë, përse duhet të shqetësohemi pikërisht ne, që jemi prej Corleone-s?

Më gjakatari ndër bosët e mafies siçiliane kishte provokuar një luftë të vërtetë mafioze asokohe, e cila kishte lënë të vdekur mbi 1 mijë persona në gjithë Siçilinë dhe me sulmet e organizuara në Itali.

Llogaritej se kishte urdhëruar të vriteshin edhe nja 20 fëmijë.

Janë megjithatë 13 mijë, fëmijët e vrarë në Siri në 11 vjet luftë nga rusët, iranianët dhe ithtarët e Assad-it dhe janë 1 mijë e 300, ata të vrarë ose plagosur rëndë në Ukrainë, që prej fillimit të pushtimit rus.

Do të thuhet se në kursin e luftës, civilët përfundojnë domosdoshmërisht duke qenë viktima të përleshjeve dhe se, mes tyre, fëmijët janë më të pambrojturit dhe ata më vulnerabël.

Por, nëse bombardohen pa pushim jetimoret, spitalet pediatrike, bibliotekat, kopshtet dhe shkollat (janë 1 mijë e 538 ato të bombarduara deri tani në Ukrainë), përtej banesave civile, është shumë më e mundur që të ketë fëmijë mes viktimave.

Vladimir Putin pra, është një kriminel shumë më i rrezikshëm se sa vetë bosi më gjakatar i mafies, të cilin historia e kujton.

Por kaq nuk mjafton.

Ashtu siç dihet, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj presidentit rus, duke e akuzuar se ka urdhëruar rrëmbimin dhe deportimin e mbi 6 mijë fëmijëve ukrainas, drejt Federatës ruse, të mbyllur nëpër kampe riedukimi dhe më pas të detyruar të bëhen pjesë e fushatave të adoptimit nga familjet ruse.

Bëhet fjalë për një krim.

I njëjti, i kryer nga Hitleri në Poloni, ku u grabitën 200 mijë fëmijë, duke i kthyer ata forcërisht në gjermanë (Ausländerkinder-Pflegestätte).

Apo, ashtu si gjeneralët argjentinas, të cilët gjatë regjimit të tyre, rrëmbyen 10 mijë fëmijë, ku më pas u adoptuan nga çifte militantësh.

“Nuk mundet të pranojmë që fëmijët të trajtohen si plaçkë lufte”, tha prokurori i Gjykatës, Karim Khan, duke prezantuar urdhër-arrestin.

Kahn ka thënë edhe se hetimet vijojnë për t’u siguruar mbi tragjedi, tortura dhe krime të tjera lufte, të cilat mendohet se janë kryer gjatë kursit të luftës dhe për më tepër shtoi se Putini mund të procedohet si Hitleri apo Millosheviçi.

Krimet për të cilat sot është akuzuar Vladimir Putin shkojnë përtej horroreve të përjetuara në luftë: janë po aq të pështira sa edhe personi urdhërues, që pretendon sot imunitet dhe deklaron se dëshiron t’i vijojë këto aksione.

Konventa për të Drejtat e Fëmijët e Kombeve të Bashkuara, e hyrë në fuqi në vitin 1990, paracakton ndër të tjera: Fëmijët kanë të drejtë të jenë të tuteluar dhe të mbrojtur nga çdo lloj dhune fizike dhe psikologjike, nga abuzimi, nga tortura dhe nga braktisja, nga trajtimet e dhunshme dhe degraduese, nga shfrytëzimi ekonomik apo seksual. Shtetet përpiqen të luftojnë kundër rrëmbimit të të miturve dhe t’u garantojnë atyre një mbrojtje të mëtejshme dhe specifike, në rast të arratisjes nga ana e tyre apo katastrofave.

Ndërsa Kremlini e ka komentuar urdhrin si “letër higjienike”, të shumtë janë ata ekspertë të së drejtës sot, të cilët shpjegojnë se si dhe pse do të jetë e vështirë të zbatohet ky urdhër.

Por, çështja nuk është kjo, ndërkohë. Putin mund të gjykohet dhe të dënohet edhe pa qenë i pranishëm në sallë.

Ajo që më pas ka rëndësi është çfarë kjo apo të tjera vendime të Gjykatës që mund të ndjekin, do ta njollosin presidentin rus si një kriminel lufte.

Atëherë, kush nga krerët e shteteve demokratike në botë, do të dojë të shtrëngojë duart apo të ftojë në një ngjarje ndërkombëtare, një kriminel lufte? Një të kërkuar ndërkombëtar, për krime lufte?

Po vetë një shtet si Federata ruse, do të mundet ta pranojë që të përfaqësohet në botë nga një person i paprezantueshëm? Nga një person, i përjashtuar prej “lojës” së politikave botërore?

Një lider ndërkombëtar, autor i rrëmbimeve të fëmijëve: krimi ndoshta më i zhdrejtë nga të gjithë krimet.

Dhe, ndërkohë, nëpër ambientet e drejtësisë ndërkombëtare, fillon të qarkullojë fjala e tmerrshme: Gjenocid!

Në fillim të mandatit të tij, Papa Francesco paralajmëroi mbi faktin se kishte filluat Lufta e Tretë Botërore, por me “copëza”.

Sigurisht, pas asaj çfarë kemi dëshmuar në Irak, Afganistan, në Siri dhe çfarë sot po shohim në Ukrainë, mund të thuhet se luftërat e sotme janë ndoshta më të kufizuara se më parë nga ana territoriale, por horrori është i njëjti.

Shkruan në librin e tij Rosario Aitala, gjyqtari italian i Gjykatës Ndërkombëtare Penale “është në shekullin më të egër nga të gjithë, të XX-in, që e keqja e pamatshme pohohet si një strategji politike e medituar dhe e luajtur mbi lëkurën e miliona njerëzve të pafuqishëm. Pra, jo veç një keqdashje e pastër, por një gramatikë e fuqisë”.

Kujt minimizon efektet e mandatit të sapo lëshuar, prokurori i Gjykatës i replikon, duke cituar Hitlerin dhe Millosheviçin dhe shton “Të gjithë ata ishin njerëz të pushtetshëm dhe prapë se prapë, e gjetën veten në sallat e Gjykatës. Vendimi i saj, e shkroi tashmë historinë, me Putin-in, i cili u bë i pari drejtues i një shteti të një vendi anëtar të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndaj të cilit është lëshuar një mandat arresti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore