Financa

Po na pret një ‘katastrofë’ e tavanit të borxhit, ngre alarmin sërish sekretarja e Thesarit në SHBA


Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka paralajmëruar se dështimi për të rritur tavanin e borxhit të SHBA-së mund të ketë pasoja të tmerrshme.

Pa një marrëveshje për të rritur atë që qeveria federale mund të marrë hua, ajo mund të mbetet pa para deri në fillim të qershorit.

Në atë çast, qeveria federale mund të mos jetë në gjendje të bëjë pagesa të të gjitha llojeve.

“Është detyrë e Kongresit ta bëjë këtë. Nëse ata dështojnë, ne do të kemi një katastrofë ekonomike dhe financiare që do të rëndojë mbi ne”, tha ajo qartësisht, për të dytën herë brenda javës.

Në një intervistë me ABC News të dielën, Yellen theksoi se negociatat për tavanin e borxhit nuk duhet të zhvillohen “me një armë në kokën e popullit amerikan”.

Por koha po ikën për një marrëveshje.

Të martën, presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit republikanë për t’u kërkuar atyre që të bien dakord për rritjen e kufirit aktual prej 31.4 trilion dollarë.

Kongresi zakonisht e lidh miratimin e një tavani më të lartë të borxhit me përcaktimet mbi buxhetin dhe masat e shpenzimeve.

Muajin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj për të rritur tavanin, aktualisht afërsisht i barabartë me 120% të prodhimit vjetor ekonomik të vendit, por i përfshirë në projektligjin që shkurton shpenzimet gjatë dekadës së ardhshme.

Presidenti Biden dëshiron që Kongresi të bjerë dakord për të rritur tavanin e borxhit, pa kushte.

Ai ka thënë se nuk do të negociojë për rritjen dhe do të diskutojë shkurtimet buxhetore pasi çështja të zgjidhet.

Dështimi për të gjetur një marrëveshje ndërpartiake për këtë çështje mund të rezultojë në një “krizë kushtetuese”, përforcoi nga ana tjetër Yellen.

Administrata Biden po shqyrton nëse ka hapësirë brenda Kushtetutës që presidenti të vazhdojë të lëshojë borxhe të reja pa miratimin e Kongresit, por këtë javë do të përpiqet të shmangë këtë skenar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore