Shëndet

Pneumonia te fëmijët, rastet janë në rritje edhe në Francë


Rastet e pneumonisë te fëmijët janë në rritje edhe në Francë.

Pak ditë pasi u përhap alarmi nga Kina, dhomat e urgjencës janë të rrethuara nga pacientë të vegjël, veçanërisht nga zero deri në 2 vjeç, me lodhje, ethe dhe kollë të vazhdueshme.

Përgjegjës është mycoplasma pneumoniae, i implikuar edhe në situatën në Kinë.

Aktiviteti i kujdesit në fushën e pediatrisë është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe të një viti më parë.

Fabrizio Pregliasco , virolog në Universitetin Shtetëror të Milanos, nënvizon se rritja e rasteve nuk paraqet alarm.

Por që “vëmendja në nivel institucional, kombëtar dhe ndërkombëtar” është e nevojshme.

“Nevojitet mbikëqyrje sistematike. COVID ka ndihmuar në forcimin e këtyre sistemeve. Le t’i mbajmë nivelet lart për të mos u kapur të papërgatitur”, ka shtuar ai.

Sipas virologut, fenomeni në Francë mund të ketë të njëjtin shkak si pneumonia e fëmijërisë në Kinë.

“Mikoplazma është një bakter me karakteristika të veçanta dhe rikthimi në jetën komunitare, pa kufizimet që na kishte detyruar pandemia, sjell me vete disa rreziqe. Për më tepër, jemi në një periudhë të rritjes së qarkullimit të këtyre mikroorganizmave”.

Ditët e fundit, pas një kërkese për informacion zyrtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, autoritetet shëndetësore kineze kanë deklaruar se rastet e pneumonisë janë për shkak të patogjenëve të njohur: virusi i gripit, rinovirusi, virusi sincicial i frymëmarrjes, adenovirusi, bakteret.

Ndaj hipoteza e një patogjeni të ri shmanget, siç ndodhi në fillim të vitit 2019 me Sars-CoV-2.

“Shpresoj që Kina të tregojë të gjithë të vërtetën në mënyrën më transparente për rritjen e infeksioneve të mushkërive te fëmijët, sepse dyshimi mbetet se ata ishin të ngadaltë në reagimin ndaj COVID-it”, ka thënë Pregliasco.

Edhe në Itali ka pasur një rritje të rasteve, sidomos te fëmijët, vitin e kaluar dhe dy vjet më parë.

“Dalja nga masat e urgjencës kundër pandemisë në Kinë zgjati më shumë, rihapjet ishin më vonë, kështu që ajo që po ndodh mund të jetë e kuptueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore