Lajme

Plenkoviç shkarkon Ministrin e Mbrojtjes për shkak të një aksidenti trafiku


Kryeministri i Kroacisë, Andreja Plenkoviç.

Kryeministri i Kroacisë, Andreja Plenkoviç, ka shkarkuar këtë të shtune Ministrin e Mbrojtjes, Mario Banozviç, pas një aksidenti të rëndë trafiku ku ai ka qenë i përfshirë, e për pasojë ka humbur jetën shoferi i furgonit (40), ndërsa vetë Banoziç ka mbetur i lënduar rëndë.

Plenkoviç njoftoi se ka autorizuar Sekretarin e Shtetit për të kryer detyrat e ministrit të Mbrojtjes.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Plenkoviç fillimisht shprehu ngushëllimet e tij për familjen e shoferit të furgonit që vdiq, Goran Shariç, dhe tha se do të gjejnë ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar ata.

“I keni dëgjuar rrethanat e aksidentit dhe shprehim keqardhjen dhe shqetësimin tonë për gjendjen e ministres e cila është shtruar në spital me lëndime të rënda”, ka thënë Plenkoviç, transmeton media kroate “Index.hr”.

Ai shtoi se vetë ministri Banoziç ishte duke vozitur veturën e tij.

“Personat që janë persona të mbrojtur të kategorisë së dytë kanë rregullin që mund të drejtojnë vetëm. Ai drejtonte automjetin e tij personal. Ai po hynte në një situatë private. Është më mirë që personat e mbrojtur të drejtohen nga profesionistë. Kjo ishte një situatë kur ai ishte duke vozitur i vetëm në fundjavë dhe kishte një aksident të rëndë trafiku”, theksoi kryeministri kroat.

Siç raportojnë mediat kroate, Banoziç ishte duke shkuar për gjueti kur ndodhi aksidenti.

Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një 40 vjeçar nga Privlaka, baba i dy fëmijëve.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Shtetit kroat ka njoftuar se Banoziç parakaloi kamionin në mjegull dhe u përplas kokë më kokë me një furgon që vinte nga ana tjetër.

Aksidenti ka ndodhur në ora 6:15 në dalje nga Vinkovci në drejtim të Zhupanjës. Banoziç u pranua në spitalin e Vinkovac në 8:30 të mëngjesit, dhe më pas u transferua në spitalin e Osijekit.

Spitali në Osijek raportoi se Banoziç ndodhet në repartin e kujdesit intensiv, se ai ka lëndime në tru, gjoks dhe gjymtyrë dhe se jeta e tij nuk është në rrezik.

“Nuk e mban mend aksidentin”, ka thënë doktori i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore