Aplikacione

‘Platforma X ka përqindjen më të madhe të dezinformimit’


Platforma X ka përqindjen më të madhe të dezinformimit të gjashtë rrjeteve të mëdha sociale.

Kështu ka sugjeruar një studim i Komisionit Evropian. I cili ekzaminoi mbi 6 mijë postime të mediave sociale në Facebook, Instagram, LinkedIn, TikTok, X dhe YouTube.

Studimi analizoi përmbajtjen në tre vende që konsiderohen veçanërisht të rrezikuara nga dezinformimi – Spanja, Polonia dhe Sllovakia – për shkak të afërsisë me luftën në Ukrainë.

“Mesazhi im për X është: ju duhet të pajtoheni me ligjin e ashpër. Ne do të vëzhgojmë se çfarë po bëni”, ka thënë komisionerja e BE-së për transparencën Vera Jourova.

Studimi u krye nga TrustLab, një startup për monitorimin e dezinformatave, si pjesë e punës për të mbështetur kodin e praktikës së BE-së për dezinformimin.

X, i quajtur më herët Twitter, së bashku me shumë rrjete të tjera sociale, u regjistrua në kodin vullnetar në vitin 2018.

Por kompania u tërhoq nga kodi ndërsa ishte nën udhëheqjen e Elon Musk.

Megjithatë, X do t’i nënshtrohet Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), i cili rregullon sjelljen e platformave të mëdha teknologjike.

BE-ja synon ta kthejë kodin vullnetar në një kod sjelljeje sipas aktit.

“Musk e di se ai nuk është larguar nga kodi i praktikës, sepse tani ne kemi Aktin e Shërbimeve Digjitale të zbatuar plotësisht”, ka shtuar Jourova.

Sakaq, kompanitë që nuk respektojnë aktin mund të përballen me gjoba deri në gjashtë për qind të xhiros globale.

Në shtator, BE akuzoi kompanitë e mediave sociale për dështimin për të ndalur fushatat e dezinformimit ruse “në shkallë të gjerë” që nga pushtimi i Ukrainës.

Dhe se “arritja dhe ndikimi i llogarive të mbështetura nga Kremlini” ishte rritur më tej në vitin 2023.

Sipas Jourova, kërcënimi ishte veçanërisht serioz për shkak të luftës në Ukrainë dhe zgjedhjeve të ardhshme evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore