Lajme

Planetët s’i keni parë kurrë si në këto foto të NASA-s


Përgjatë historisë, njerëzimi ka parë aq shumë foto të planetëve, sistemit diellor, yjësive.

Ndoshta, edhe më shumë se sa foto ka parë të vetë oqeaneve, të cilat ndodhen në botë.

Por, të tilla imazhe si këto të kapura nga teleskopët dhe misionet e ndryshme të Agjencisë Hapësinore amerikane, NASA, kurrë nuk janë parë, duke i ndërthurur jo vetëm me madhështinë universale, por edhe me një ndjesi të pakundërshtueshme artistike.

Mërkuri është më i lavdishëm se e mendonim

Me të vërtetë që Mërkuri është planeti më i vogël i sistemit tonë diellor, por ai nuk mbetet pas për nga bukuria.

Ai është një prej pesë planetëve, të cilët mund të shihen me sy të lirë nga Toka në kushtet e duhura atmosferi (si pika drite në qiell të kuptohemi), por NASA e ka edhe një foto të lavdishme të një planeti jo shumë të përmendur nga njerëzit…dhe ajo është e lavdishme.

Një mision i agjencisë, i cili përqendrohet vetëm tek Mërkuri, ka arritur të shkrepë një foto të mrekullueshme, duke kapur edhe efektet e dukshme që mineralet në sipërfaqen e tij kanë. Çfarë pamje!

Tornadot e Jupiterit

Jupiteri është planeti më i madh i sistemit tonë diellor dhe gjithashtu edhe “më i dhunshmi”.

Një foto e shkrepur nga misionet e NASA-s tregojnë se si në një prej poleve të tija, janë formuar disa tornado të stërmëdha, të cilat janë të mëdha sa distanca prej Napolit në New York dhe ku erërar fryjnë me shpejtësi deri në 350 kilometra në orë.

Më mirë të mos gjendeni aty!

Sipërfaqja përvëluese e Venusit

I emërtuar pas perëndeshës romake të bukurisë dhe dashurisë, Venusi nuk është ai që ne do të dëshironim, pasi si planet, është përvëlues dhe nuk ka asnjë gjallesë që jeton aty.

Sipërfaqja e tij mund të arrijë deri në 450 gradë Celsius dhe rryma të forta diellore e godasin rregullisht Venusin.

Planeti i dytë në distancë nga Dielli, pas Mërkurit, paraqitet si një top flakësh, ku hekuri fjala bie, do të qëndronte i shkrirë dhe jo në formë të ngurtë.

I bukur, vetëm për t’u parë!

S’është Van Gogh!

Pa diskutim që e keni parë dhe e njihni pikturën e njohur ‘Starry Night” (Natë me Yje) nga Van Gogh.

Epo, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me të, pavarësisht ngjashmërisë shumë të madhe.

Është thjesht Jupiteri.

Në pesë vjet, misioni rreth këtij planeti, Juno, arriti të mbledhë imazhe të jashtëzakonshme dhe së bashku, ato formuan fotografinë e plotë të Jupiterit madhështor, e cila ofron një spektakël të vërtetë.

Me stuhi të shumta të pashtershme që ndodhin në këtë planet dhe me masivitetin e tij, zor se do të keni sy për yje nëse ju shfaqet përpara kjo fotografi!

Natë në Hënë

Nëse e dimë që është natë kur hëna del në qiell, po në Hënë si kuptohet kjo gjë?

Sigurisht që nuk është nevoja, pasi askush nuk jeton atje – përtej konspiracioneve – por diçka duhet bërë e qartë: Natën del…Toka?!

Po, është planeti blu, ai i cili e simbolizon natën nëse do të gjendeshim në Hënë dhe një foto e NASA-s nga sipërfaqja hënore e Tokës, kurrë nuk është dukur më e bukur.

Nëse e shini, gjithçka mund të ndalë në mendjen tuaj, për të kuptuar se sa të vegjël jemi, edhe pse nuk duam!

Xhuxhi i Rrugës së Qumështit

Askujt nuk i pëlqeu heqja e Plutonit nga lista e planetëve, për shkak të madhësisë së tij.

Por, le ta pranojmë, është më i vogël nga sa mendohet.

Në fakt, edhe hëna më e madhe e Plutonit, e cila është emërtuar Charon, është thuajse po aq e madhe në përmasa sa vetë ai.

Fotot e shkrepura nga misioni New Horizons janë përrallore dhe na dhanë mundësinë që planetin xhuxh të largët, ta shihnim siç nuk e kemi parë asnjëherë më parë, qartësisht të shkretë.

Vetëm se, përkundër gjasave, planet real nuk do të kthehet më së qeni!

Aurora Borealis në Saturn

Saturni dhe unazat rreth tij janë të famshme.

Mirëpo, po aq të famshme, janë edhe fenomenet e ngjashme tokësore, që ndodhin në polet e planetit të madh të sistemit diellor.

Në Saturn, ashtu si në Tokë, mund të përjetohet fenomeni i Aurora Borealis, të njohura ndryshe edhe si “dritat e veriut”.

Përkundër se në Tokë janë drita të forta rrezatimi, në ngjyrë të gjelbër, ndërsa në Saturn ato vijnë në tonalitetin blu, asgjë tjetër nuk ndryshon.

Ah po. Në Saturn nuk mund t’i përjetoni!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore