Shqipëria

Plagoset me armë një person në Kuçovë, policia shpall në kërkim 4 shtetas


Një incident i rëndë është regjistruar në orët e vona të së premtes në qytetin e Kuçovës ku katër persona kanë plagosur me armë shtetasin Donald Grymshi.

Ky i fundit, është transportuar në gjendje të rëndë drejt Spitalit Rajonal Berat ku pasi ka marrë ndihmë e parë mjekësore është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.

Ngjarja është regjistruar në lagjen “1 Maji” ku autori me inicialet L.S ka shtënë disa herë me armë të tipit pistoletë në drejtim të Grymshit.

“Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive të bërë nga specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë në bashkëpunim me shërbimet e DVP Berat, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L.S., 22 vjeç, A.Th., 22 vjeç, V.P., 23 vjeç, dhe A.T., 23 vjeç, të katërt banues në Kuçovë”, vëren njoftimi zyrtar i policisë.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri Grymshin.

Vijon puna për kapjen e katër shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore