Lajme

Pjetër Shala sërish në seancë, edhe më 13 shtator


Pjetër Shala, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Gjatë ditës së hënë është mbajtur seanca e tretë për ecurinë e rastit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Seanca në fjalë kishte karakter informues dhe shkëmbim të informacioneve në lidhje me ecurinë e rastit ndaj Pjetër Shalës si dhe qëndrimin e trupit mbrojtës të tij në lidhje me ecurinë e hetimeve.

Gjatë kësaj seance u vendos që seanca e radhës të mbahet më 13 shtator.

Data e caktuar ishte e përshtatshme për prokurorin mirëpo jo edhe për trupin mbrojtës të Shalës pasi avokati i tij, Jean-Louis Gillissen, kërkoi që seanca tjetër të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit pasi do të ketë një ndërhyrje shëndetësore.

Mes tjerash, gjatë seancës prokuroria ka treguar se nxjerrja e materialeve vazhdon ashtu siç është parashikuar duke u respektuar të gjitha afatet dhe duke mos hasur në asnjë vështirësi.

Sipas prokurorisë afati i fundit i nxjerrjes së dokumenteve do të jetë 30 korriku i këtij viti.

Edhe për avokatin e Shalës, Gillissen nxjerrja e materialeve po vazhdon pa probleme, ai gjithashtu ka falënderuar, prokurorin e rastit pasi që këta të fundit kanë dhënë disa video incizime trupit mbrojtës që lidhen me vet akuzuarin.

Sipas avokatit të Shalës, “kjo gjë duhet lavdëruar sepse mundësohet që të punohet si duhet dhe mundëson shmangien e keqkuptimeve apo diskutimeve të panevojshme”.

Gjatë seancës në mes tjerash trupa mbrojtëse e Pjetër Shalës ka kërkuar afat kohor deri me 11 korrik të këtij viti që të  bëhet një përmbledhje në qëndrimit e tyre në lidhje me mbrojtjen e të akuzuarit.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars të këtij viti nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim  lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.

Ndërsa me 19 prill të këtij viti,  ishte mbajtur paraqitja e parë e Pjetër Shalës, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore