Lajme

Pistorius në Prishtinë: Kosovës i duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial në kushte komplekse


Boris Pistorius

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, mbërriti të hënën (5 shkurt) në Kosovë, ku u prit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode, ndërsa në njoftimin e ekzekutivit gjerman mbi vizitën e Pistorius në vend është dhënë një mesazh i rëndësishëm: Kosova duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial në optikën e zhvillimeve gjeopolitike.

“Pistorius ka mbërritur në Prishtinë, ku është pritur nga ambasadori Rohde. Kosova duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial në kushte komplekse. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermania është një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Kosovës, sikurse në nivelin civil, ashtu edhe në nivelin ushtarak”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtes.

Pistorius vjen në Prishtinë së bashku me një delegacion të Parlamentit të Gjermanisë, përkatësisht anëtarë të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku pritet të adresohet vizioni i gjeostrategjik i Kosovës sa i përket integrimeve euro-atlantike dhe sigurisht, rrjedha e tensionuar Kosovë-Serbi.

Ai pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa pas takimit do të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp. Pastaj është paraparë edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse do të ketë konferencë për media.

Pistorius në Kosovë për “krizën e dinarit” dhe “sfidat e sigurisë” në rajon

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore