Sport

Pioli zbulon klubet që nuk dëshiron të përballet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve


Milan-i u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke e eliminuar Tottenham-in.

Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli ka zbuluar ekipet që nuk dëshiron të përballet në këtë fazë të garës më të rëndësishme për klube në Evropë.

Ai shpreson që shorti mos t’i bjerë me njërën prej skuadrave italiane, edhe pse Napoli dhe Inter-i ende nuk e kanë siguruar kualifikimin në këtë fazë, pavarësisht se i kanë fituar ndeshjet e para.

“Futbolli italian po rritet. Shpresoj se nuk do të përballemi me klubet e Serisë A në çerekfinale”, ka thënë trajneri i kuqezinjve, cituar nga Milannews.

“Milani nuk ka luajtur Ligën e Kampionëve për vite me radhë dhe ne kemi luftuar më shumë sezonin e kaluar. Tani kemi më shumë përvojë, i përballojmë këto sfida me frymën e duhur”, shtoi tekniku i kuqezinjve.

Ndryshe nga kuqezinjtë, Inter-i dhe Napoli nuk janë kualifikuar ende në çerekfinalet e Champions League.

Inter-i e fitoi ndeshjen e parë në “San Siro” kundër Porto-s me rezultat 1:0, ndërsa Napoli mundi Eintracht Frankfurt 0:2 si mysafir.

Ndryshe, përveç Milan-it, janë kualifikuar në çerekfinale edhe Bayern Munich, Benfica dhe Chelsea.

Shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve do të hidhet më 17 mars, derisa në këtë fazë, ndryshe nga ajo e fazës së 1/8-ve të finales, nuk do të ketë kufizime (mund të përballen ekipet e të njëjtit shtet dhe ekipet që kanë qenë në të njëjtin grup).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore