Shqipëria

Pikiata në popullsinë shqiptare mund të rimëkëmbet


Shqipëria aktualisht po rritet shumë ngadalë për sa i përket popullsisë, me një normë rritjeje prej vetëm 0.34%.

Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2030, popullsia e Shqipërisë pritet të jetë 3.31 milionë. Këto projeksione parashikojnë gjithashtu një tkurrje të popullsisë së vendit pas vitit 2032, me një rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të shekullit.

Ritmi vjetor i rritjes së popullsisë në Shqipëri është luhatur midis përqindjeve të vogla në të dyja anët e zeros që nga fillimi i shekullit.

Lidhur me këtë fenomen, pedagogia e Politikave Sociale, Merita Xhumari shpjegon se në Shqipëri janë shfaqur tendencat e reduktimit të popullsisë, që lidhen si me shkaqe të uljes së numrit të lindjeve, por mbi të gjitha me emigrimin e popullsisë aktive.

“Gjetjet e INSTAT konfirmojnë se faktori kryesor në emigracionin e shqiptarëve është mundësia për të punuar jashtë vendit (84%), pasi papunësia mbetet një nga problemet me te mëdha në vend, krahas standardeve më te larta te jetesës, cilësisë më të mirë dhe mundësive për t’u arsimuar, kualifikuar, shërbimet publike dhe kujdesi shëndetësor”, thotë Xhumari.

Pedagogia e Politikave Sociale, Merita Xhumari

Që nga viti 2019, OKB njofton se popullsia ishte afër një ndalese duke u rritur me vetëm 0.14% në vit. Migrimi neto është relativisht i ulët, por negativ, dhe faktori më i madh që kontribuon në sasinë e ulët ka qenë lindshmëria nën mesatare.

Ritmi në rënie i rritjes në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, ku norma do të bëhet negative rreth vitit 2027 dhe do të zbresë në afërsisht -0.66% në vitin 2050. Gjatë kësaj periudhe pritet që migrimi neto të mbetet negativ, por e qëndrueshme dhe se rënia e numrit do të jetë për shkak të rritjes së hendekut midis nivelit të ulët të lindjeve dhe shkallës së lartë të vdekshmërisë.

Raporti i “Visual Capitalist”, tregon se nga mesi i viteve 1900, popullsia globale ka ndjekur një trajektore në rritje.

Popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret me 15.8% deri në vitin 2050, duke u renditur e dhjeta, pas Bullgarisë, Lituanisë, Letonisë, Ukrainës, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Moldavisë dhe Japonisë.

Sipas tabelave të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2050 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 2.5 milionë banorë dhe deri në vitin 2100 do të tkurret në 1.1 milionë banorë.

Megjithatë Xhumari tregohet optimiste se fenomeni i rënies së popullsisë mund të frenohet.

“Nga kjo perspektivë, Shqipëria për pozicionin gjeografik që ka, është atraktive dhe me burime të shumta. Hapja e negociatave të integrimit në BE do t’i shërbejë rritjes së standardeve te jetesës në vend, integrimit të politikave publike me ato të BE dhe rritjes së interesit nga investitorët e huaj”.

Gjithashtu ajo shton se politikat demografike për nxitjen e lindshmërisë po ashtu duhet të shoqërohen si kudo në Evropë me politikat sociale për mbështetjen e familjes me kompensime familjare dhe shërbime për mirërritjen e fëmijëve.

“Shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të sigurojnë një ekuilibër të drejtë midis objektivave afatgjatë dhe atyre afatshkurtër, me qëllim që të mos bëhen zgjidhje ‘emergjente’ të problematikave sociale dhe të garantohet qëndrueshmëria afatgjatë e investimeve të shqiptarëve në vendin e vet, në përgjigje të sfidave me të cilat po përballet sistemi ynë shoqëror”.

Ndër të tjera sipas pedagoges, një qasje e integruar dhe koordinimi i politikave në të gjitha nivelet, nga të gjithë aktorët, të brendshëm dhe të jashtëm, janë vendimtare për normalizimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë.

“Iniciativat e lëvizjes së lirë të forcave te punës edhe brenda Ballkanit Perëndimor besoj që do të shoqërohen  me ndryshim te mendimit për të emigruar larg, pasi punësimi ne rajonin e Ballkanit ka lehtësitë e gjuhës, komunikimit, transportit dhe distancave të vogla të cilat do rrisin interesin për të qëndruar në Shqipëri.

Bazuar tek të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT), më 1 janar 2022 në vendin tonë rezultojnë 2 milionë e 793 mijë banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve.

Gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative. Gjithashtu u konstatua dhe një rritje e ndjeshme e emigracionit, ndërsa numri i të kthyerve mbetet i ulët.

Sipas Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare (PIIE), ndikimi kryesor vjen nga lindshmëria, e cila ka rënë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në të gjithë rajonin, numri mesatar i fëmijëve për grua ra nga 2.1 në 1988 në 1.2 deri në 1998.

Normat e lindjeve janë rikuperuar pak që atëherë, por nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar vdekjet dhe emigracionin, që i referohet qytetarëve që largohen nga vendi i tyre për të jetuar diku tjetër.

Evropa Lindore pa disa valë emigracioni pas zgjerimit të kufijve të Bashkimit Evropian (BE) në 2004 dhe 2007.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore