Kosova

Petkoviç takohet me Lajçakun, thotë se biseduan për themelimin e Asociacionit


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Kosovës, Petar Petkoviç, ka thënë se ka biseduar këtë të hënë në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ekspertët tanë si pjesë e delegacionit nga Beogradi morën pjesë në diskutimet për formimin e Asociacionit dhe hartimin e statutit të Asociacionit si dhe çështjen e të zhdukurve dhe tema të tjera të rëndësishme. Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë”, shkroi Petkoviç në platformën X.

Ndryshe, Emisari Special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pa dhënë shumë detaje, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën, ka njoftuar se KEDS-i dhe Elektroserveri kanë nënshkruar një kontratë komerciale për energjinë elektrike – një ndër elementet kryesore të Marrëveshjes për Energjinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015.

“E mirëpres nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën sociale “X” të shtunën, por nuk ka treguar si, ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjidhja mbi shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës, përveç se një ndër hapat e parë drejt normalizimit të furnizimit energjetik, sëkëndejmi i jepet fund praktikës së deritanishme të refuzimit të serbëve lokalë për të paguar faturat e energjisë elektrike.

“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës. Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces”, ka thënë zëvendëskryeministri kosovar.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët në pjesën veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa tani e tutje kjo çështje pritet të zgjidhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore