Kosova

Petkoviç për Kurtin: Kishat dhe manastiret serbe i paraqet si trashëgimi shqiptare


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t’i mbrojë kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, por dëshiron t’i paraqesë si trashëgimi shqiptare.

Ai këtë çështje e ka quajtur si “hipokrizi”, dhe sipas tij kjo është “një tentim për të mashtruar” bashkësinë ndërkombëtare.

“Kishat dhe manastiret i sheh ekskluzivisht në kontekstin e historisë shqiptare dhe shqiptarizmit të thesarit tonë kulturor. Kjo është parë edhe në urimin e tij për Pashkët e besimtarëve ortodoksë, kur ai tha ‘me dashuri për vendin dhe gjuhën tonë’. Ai e citoi Fan Nolin, themeluesin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, ka thënë Petkoviç për televizionin serb RTS, duke shtuar se Kurti “nuk e ka qëllim të vërtetë mbrojtjen e kishave dhe manastireve serbe, por t’i paraqesë si trashëgimi kulturore të Kosovës”.

Duke akuzuar autoritetet e Kosovës se “nuk janë në gjendje të zbatojnë vendimet e tyre”, Petkoviç ka theksuar se Kosova do ta prishë dialogun në momentin kur kërkon anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

“Kemi parë disa herë që ata anuluan takimet në Bruksel. Kur Kurti flet se si do ta mbrojë Deçanin e Graçanicën, është e qartë se është hipokrizi. Dy ditë më parë u bënë pesë vjet që kur e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese e Kosovës vendosi t’i kthehen 24 hektarë tokë që i përket Manastirit të Deçanit dhe ai vendim nuk zbatohet nga kadastri lokal”, është deklaruar Petkoviç.

Po ashtu, ai ka thënë se qytetarët serbë të Kosovës do të mund të marrin ndihmë financiare nga Serbia përmes një pakoje ekonomike.

“Të gjithë të papunët do të marrin nga 200 euro, ndërsa të punësuarit, fëmijët dhe pensionistët nga 100 euro”, përfundoi Petkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore