Kosova

Petkoviç njofton ambasadorin rus për zhvillimet e fundit në dialog: Kemi hapa konkret drejt formimit të Asociacionit


Aleksandar Bocan – Harchenko dhe Petar Petkoviç

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, këtë të martë, ka takuar ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan – Harchenko, me të cilin ka diskutuar për situatën politik dhe të sigurisë në Kosovë dhe për problemet me të cilat, sipas tij, po ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë.

Petkoviç, i cili është edhe kryenegociatori i palës serbe në dialogun me Kosovën, ndër të tjera, ka njoftuar ambasadorin rus për takimin e fundit që ka pasur me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimin, duke theksuar se në takim është diskutuar për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në raundin e fundit të dialogut në Bruksel, u diskutua draft-statuti i Asociacionit, si hap i parë konkret drejt formimit të Asociacionit, të cilën populli serb e ka pritur për më shumë se 10 vjet”, njofton e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviç ndër të tjera ka njoftuar ambasadorin rus, për siç ka pretenduar ai, vështirësitë që po përjeton komuniteti serb në Kosovë, për shkak që politikave kërcënuese të Qeverisë së Kosovës.

“Të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare të serbëve shkelen çdo ditë në Kosovë, ata pengohen të votojnë në zgjedhjet të 17 dhjetorit, arrestohen pa arsye dhe mbahen në qelitë e burgut për disa muaj, ndërsa politika e terrorit të Kurtit drejtpërdrejt po kërcënon stabilitetin e ndërtuar ndër vite në terren”, ka pretenduar Petkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore