Kosova

Petkoviç: Larguam Njësinë Speciale nga kufiri dhe fuqizuam rezolutën 1244 me vendosjen e KFOR’it – kjo është marrëveshja më e mirë për Serbinë


Njesitet Speciale te Kosoves ne Jarinje

Targat ilegale me iniciale të qyteteve të Kosovës si (KM) për Mitrovicën, do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë, me një ngjitës që do t’u vihet në kufi, por për drejtorin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, fitorja më e madhe në marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë të enjten në Bruksel, konsiston diku tjetër.

“Më e rëndësishmja në këtë marrëveshje është që Njësia Speciale do të largohet dhe ata i zëvendëson KFOR-i, çka e forcon rezolutën 1244”, ka deklaruar Petar Petkoviç.

Petar Petkovic, Drejtor i te ashtuquajtures Zyra per Kosoven ne Qeverine e Serbise

“Ndërsa targat KM, që i kanë njerëzit tanë në Kosovë, nuk do të hiqen”, tha ai duke folur për Radio Televizionin e Serbisë.

Madje për Petkoviç-in marrëveshja ishte më e mira që ka nxjerrur Serbia ndonjëherë nga Brukseli.

Gjithashtu, çfarë e ka kënaqur shumë Petkoviç-in është edhe fakti se tash do të fillojë në Bruksel diskutimi për Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne nuk u dorëzuam, nuk u dorëzuam as për Asociacionin. Nuk ka asgjë falas në Bruksel, prandaj kemi luftuar për këtë marrëveshje”, pohoi ai.

Arritja e Marrëveshjes në Bruksel u njoftua nga emisari i Posaçëm i Dialogut Kosovë – Serbi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, në llogarinë e tij në Tëitter.

Marrëveshja, të paktën ajo pjesë që është publikuar, përmban tri pika.

Pika një e marrëveshjes thotë se “forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00”.

Për më tepër, “KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nis largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”.

Pikat e Marreveshjes

Në pikën e dytë të dakordiit, “nga 4 tetori, do të nis së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Kurse pika e tretë thekson se “do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së”.

Ky grup punues takimin e parë do ta ketë me “21 tetor 2021 në Bruksel”.

“Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, e ka prezantuar marrëveshjen e Brukselit si një fitore për Kosovën.

Sa i përket largimit të Njësisë Speciale, Kurti tha se s’ka pse qëndron më aty, meqë edhe bllokada e serbëve lokalë, e vendosur pas fillimit të aplikimit të reciprocitetit po largohet.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa ka deklaruar se meqë targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.

 

Marrëveshja për targa u mirëprit nga ndërkombëtarët

Targat “KM”

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka mirëpritur marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Tëitter.

Përshëndetje për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë ka pasur edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe.

“Lajm i mirë nga Brukseli – një shembull se si ri-angazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Falënderojë Lajçakun që lehtësoi arritjen e marrëveshjes dhe partnerët kosovarë dhe serbë për gatishmërinë dhe zgjuarsinë e tyre për të negociuar”, ka shkruar Giacobbe në Tëitter.

Marrëveshjen në mes të dy vendeve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, e ka mirëpritur edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e cilësuar atë si një lajmë shumë të mirë për rajonin.

“Është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Është mirë për gjithë rajonin. Dialogu tash duhet të vazhdojë”, ka shkruar von der Leyen në Tëitter.

Edhe Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey, e ka cilësuar si lajm të shkëlqyer marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo gjë është e mundur përmes një dialogu serioz dhe të përkushtuar”, ka shkruar Godfrey në Tëitter.

 

Si filloi e gjitha?

Njesia Speciale e Kosoves ne diten e pare te aksionit

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.

Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në Veri,  duke i bllokuar rrugët me kamionë si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit serb nuk mbetën të vetëm, reagimi i shtetit serb ishte i menjëhershëm.

Serbia, me anë të helikopterëve ushtarak e avionëve të prodhimit rus MIG-29 provokoi situatën në veri të vendit.

Si pjesë e kërcënimeve, Serbia dërgoi një divizion të tankeve në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi nga qyteza e Rashkës.

Ndërsa kërcënimet nga Serbia vazhdonin, përbrenda Kosovës, Lista Serbe vendosi billborda në komuna me shumicë serbe ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore