Lajme

Petkoviç: Fakti që Bislimi do të donte dikë tjetër në vendin tim, tregon se ne po luftojmë me vendosmëri në Bruksel


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, tha se fakti që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të donte dikë tjetër në vend të tij si kryenegociator, vetëm se e konfirmon se pala serbe po lufton me vendosmëri në Bruksel.

“Fakti që Besnik Bislimi do të donte dikë tjetër në pozitën time si kryenegociator, është vetëm një kompliment dhe konfirmim për mua se pala serbe po lufton me vendosmëri në Bruksel”, ka shkruar Bislimi në Twitter.

Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, ka theksuar se ndoshta procesi i dialogut do të kishte qenë më konstruktiv dhe produktiv nëse Petkoviç do të ishte “dikush që është pak më i vjetër dhe më me përvojë”.

Ai ka bërë të ditur se në dialog me Serbinë në Bruksel është trajtuar çështja e marrëveshjes përfundimtare për targat e përkohshme dhe sa i përket energjisë në veri të Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane sa i përket zgjidhjes së problemit me targat, “mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga ana e palës serbe”.

“Për targat janë prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare ka zgjedh opsionin e vet, por ka munguar nga pala serbe. Ata i kanë kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë, për shkak të zhvillimeve pas zgjedhjeve. Kërkesa për ne është joserioze dhe nuk kanë qenë të sinqertë”, ka thënë Bislimi.

Më 13 maj, Kosova dhe Serbia s’kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kështu ka bërë të ditur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve të premten 13 majit në Bruksel.

Mirëpo, sipas tij ka pasur rezultate të përziera duke shtuar se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë.

Edhe, më 21 prill, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore